NGA: FULVIA SHTËPANI
Libri “Bloc-notes” apo “Bllok shënimesh” i Ylli Demnerit është një nga librat e paktë që përmbush një mision të dyfishtë, sepse është një libër që jo vetëm duhet lexuar, por edhe duhet treguar. E kur flasim për tregim, kemi parasysh, me gjithë kuptimin e plotë të fjalës, thënien e Sei Shonagon: “Nuk duhet të harrojmë kurrë t’u përsërisim të tjerëve gjërat e bukura që kemi lexuar”. Libri është një përsiatje nostalgjike e sentimentale e jetës së autorit në vende të ndryshme në Tiranë, Paris, Francë dhe ndërmjet dy vendeve, gërshetuar midis tyre nga një çimentim drithërues, që u falin udhëtimet atyre njerëzve, që gjatë gjithë jetës nuk mbarojnë së ndërtuari urat e zemrës që lidhin dy vende, dy histori, dy dashuri. Në tekstin e librit, nostalgjia shërben si një muze i pasur, duke i dhënë mundësinë autorit të bashkëdyzojë stile, të krijojë një mozaik specifik që i jep reliev ndjeshmërisë së mendimit dhe ndjenjës, duke i filtruar këta të fundit me shpejtësinë e ndryshimit të rrjedhës së jetës e evolucionit të saj, duke i atribuuar shkrimtarit një “stature” të dyfishtë, atë të njeriut historik dhe interporal njëkohësisht. Shkrimi është një formulim hibrid e polifon, që duke përdorur krijimin artistik dhe realitetin, eksplorimin e vetes dhe të botës, historikun personal e kolektiv, nën peshën e një rrjeti imagjinativ me nuanca e prirje të pasura artistike, prek me hapësirën e tij tematike jo vetëm një segment të jetës, por të gjithë spektrin social të saj. Ashtu siç thotë John Banville e Nabokovi, me artin e tij, artisti arrin të kthejë në të “pazakonshme” çdo ngjarje apo objekt, me gjithë rëndomtësinë e tyre, sepse ajo që i intereson të dëgjojë padyshim autorit, është ajo që thotë dhe Henri Calet në librin “Gjithçka mbi gjithçka”, “rrahje sekrete të zemrës së jetës, brenda kraharorit të tij”… Vepra e Ylli Demnerit shfaqet, nëse do të përdorim termat e Gerard Genette-it, si një letërsi e shkallës së dytë, apo “palimpsest”, në hapat e ideatorit e frymëzuesit së tij, Roland Barthes dhe autorëve të tjerë të shquar…

Ai përdor një zhanër struktural hibrid, atë të fragmentit, që mbas 1975 erdhi shumë në modë, duke u quajtur edhe “zhanër fisnik”. Autori i “Bloc-notes” ka ditur të shfrytëzojë me mjeshtri të gjitha përparësitë e këtij zhanri egzigjent, ndër të tjera, atë reaktiv dhe atë tranzitiv, duke e vënë theksin tek vërtetësia dhe ambivalenca e rrëfimit, e cila na krijon, midis të tjerash, një “efekt shëmbëllimi”, që na jep në vazhdimësi ndjesinë e të qenurit përpara një pasqyre, madje kjo e zhveshur nga paragjykimet. Temat dhe motivet e trajtuara në libër paraqiten nëpërmjet objektivitetit të shkrimtarit, si “rrathë koncentrikë”, duke përplotësuar dhe e bërë veprën më të thellë e duke na dhënë përshtypjen e të qenurit në një skenë të hapur teatri, ku personazhet dhe ngjarjet për të cilat flitet, luajnë secili rolin e vet dhe të gjithë së bashku, duke u shkrirë me rrëfimin, ndërtojnë teksturën e së tërës që të rrëmben me narracionin artistik, semantikën e fjalës dhe stilin e lartë. Në këtë vepër autori rrënon kufijtë kohorë, koha historike dhe koha artistike shkrihen në konceptin kohë si kategori filozofike. Kjo teknikë i jep veprës një poetikë të hapur, duke i dhënë autorit mundësinë e një komunikimi të diferencuar, atë të të qenurit njëkohësisht në vende të ndryshme, duke na e prezantuar atë si një shkrimtar të kultivuar, me cilësi të mëdha reflektive dhe narrative, me një profil krijues në harmoni me ndjeshmëritë dhe eksperimentin vetjak, me ligjërimin dhe shumëllojshmërinë e teknikave të rrëfimit. Thurja-shthurja brenda tekstitnëntekstit, paralelisht ndjekin njëra-tjetrën, në mënyrë të vazhdueshme duke forcuar kontekstin, nëpërmjet një gjuhe të thellë retrospektive- perspektive. Kjo gjë i jep veprës në brendësi një lëvizje të përhershme, e cila na bën të kujtojmë dinamikën e librave të D. Brawn-it. Ndryshimi është, se tek “Bloc-notes”, autori mbështetet më shumë tek fuqia e fjalës, se sa tek situatat jashtë-letrare të pranishme në librat e D. Brown-it. Me sensibilitetin e tij, herë me ndërgjegje dhe herë në mënyrë intuitive, të duket sikur autori kërkon zgjidhjen e një ekuacioni artistik, prova e të cilit ndodhet në duart e lexuesit.

Nëpërmjet fjalës, në libër ndihet fuqishëm plotnia relative dhe tërësore e kumptimit dhe kuptimit, ku kalimi nga e tashmja në të shkuarën kthehet në proces tejet të natyrshëm, në të cilin përvoja dhe perceptimet reale motivojnë ndërtimin e botës së krijimit. Fjala ka në libër një peshë të veçantë. Të luash me fjalën nuk është një proces i thjeshtë, është një kod mendësie, arsyeje dhe ndjesish përjetuese, është prelud lajtmotivesh e sugjestionesh, fjala rend brenda dhe jashtë nesh. Ajo është bukuria, elokuenca, brishtësia, magjia, rrënimi dhe fuqia që trazon, shkatërron dhe rimëkëmb shpirtrat njerëzore, kthen në qenie tokësore perënditë. Ylli Demneri e ka kuptuar këtë më së miri. Ai i nuancon fjalët në kuptimin e tyre konotativ, historinë e tyre të brendshme, duke kompozuar me pjesëmarrjen aktive të imagjinatës. Në këtë mënyrë, fjala kthehet në “element motor”, që duke hyrë brenda nesh, shkakton efektin e “topit të borës” në kuadrin sensacional, çka i jep veprës atë që Jorges Luis Borges cilëson si “fuqinë e shpirtit”. Ndihet në vepër influenca e së shkuarës, kujtimet, ndjenjat dhe emocionet e së cilës autori i ka përdorur si një matricë për të integruar të tanishmen, realen dhe krijimin. Për t’u theksuar është efekti i distancimit me memorien me të shkuarën, siç thotë Joseph Conard, tek “Një rrëfim” në librin “Linja e hijes”, ku u jep ngjarjeve konture të jashtëzakonshme, pasi thelbësorja e tyre çlirohet nga konteksti rrethues i fakteve të përditshme, të cilat fshihen nga kujtesa vetvetiu me kalimin e kohës.

Shkrimi nënkupton në vetvete, po aq sa një identitet profesional, edhe një identitet personal, gjë që e gjejmë të mishëruar më së miri në një sagë përshkrimesh e shpjegimesh të detajuara me rigorozitet, që kanë pothuajse, efikasitetin e analizave të Freud-it, në zbërthimin e lidhjes, ndërmjet ngjarjes dhe njeriut që e përjeton atë. Teksti mbart një mesazh emocional intensiv, të ngjashëm me atë të një “haiku”, duke shfrytëzuar në maksimum potencialin e gjuhës, shumëkuptimet dhe mbivendosjet Vepra nuk ka asgjë të tepërt, duke pasur parasysh atë që thotë Maurice Coyaud, “Ai që do të thotë shumë, nuk thotë asgjë” dhe atë që thotë Flaubert, “E vështirë në letërsi është të dish se çfarë nuk duhet të thuash”. Tek “Bloc-notes”, ashtu edhe sikur tek “E dashur A”, autori shquhet për përshkrimet piktoreske, duke krijuar kështu një profil poetik origjinal përshkrimi, që të bëjnë të kujtosh librin e George Sand-it “Letrat e një udhëtari”, në të cilin sensi piktoresk është shumë i prononcuar, duke na konfirmuar edhe një herë prejardhjen e tij, me përdorimin e dy mjeteve të mbifuqishme, gjuhën dhe imazhin si edhe transpozicionin e ndërmjetëm midis tyre. Shkrimi fragmentar me tendencë autobiografike modifikon nganjëherë raportin e autorit me veten, sipas Roland Barthes. Ai thoshte se mbas shkrimit të veprës së tij, “Roland Barthes nga Roland Barthes”, e shihte veten si një tjetër. Nuk ka “Ditar intim pa anti-ditar”, thotë Philippe Lejeune.

Duke na servirur mendimet dhe ndjenjat gjatë përshkrimeve të tij, autori nganjëherë zbulon një tjetër “vetvete” në linearitetin e retrospektivës së rrëfimit, gjen gjëra që në fillesë, mbase nuk i kishte parë. Ai realizon me sukses atë që Jean Jacques Rousseau thotë për shkrimet me tendencë autobiografike: “Duhet ta japësh shpirtin tënd në mënyrë transparente tek lexuesi”. Autori i hap lexuesit laboratorin e tij të krijimit, shpirtin e tij, duke kaluar me sukses testin e pashmangshëm, atë që Anne Jorro e quan “l’apostrophe évaluative”, sensin që percepton një lexues hipotetik, lidhur kjo ngushtësisht gjithashtu me përmbushjen e misionit “traktat”, autor-lexues. Tek “Bloc-notes”, ky autor-roje i palodhur i kohës, na shfaqet nëpërmjet kinetoskopit të tij, si një apologjist i mrekullueshëm i ngjarjeve dhe fenomeneve të jetës së përditshme, madje edhe atyre më të rëndomtave apo intimiste, duke na i shpalosur përpara syve me një sinqeritet të paparë. Tiparet dalluese të veprës, si ndjeshmëria e thellë, spontaniteti, natyrshmëria, eleganca gjuhësore, mahnitja poetike, idiomatika vetjake, kureshtja për t’i parë gjërat me entuziazmin apo trishtimin e fëmijës që i zbulon për herë të parë, janë tregues të një të vërtete të personalizuar, që na bën të zbulojmë portretin e autorit si shkrimtar dhe si njeri. Duke u prezantuar në vepër herë si minjaturist, herë si historian letërsie, herë si kineast apo edhe si piktor, autori i “Bloc-notes”, mishërohet si njeridashës në dimensionet më humane, si qenie shoqërore në aksion, si krijues intelektual i një forme të re e mbi të gjitha, si luftëtar i mendimit dhe i fjalës së lirë. Recensë
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: