Një presion i madh ndërkombëtar po zhvillohet ndaj Listës Serbe për të votuar nesër Demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Burime të Klan Kosovës kanë arritur të informohen se të mërkurën, një delegacion i Srpskas, i kryesuar nga kryetari i grupit parlamentar Slavko Simic, ka udhëtuar në Beograd për të takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Presidenti serb po përpiqet të bindë deputetët për të votuar ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi.
Edhe Vuçiç ditët e fundit është vendosur para një presioni të madh ndërkombëtar nga përfaqësues të Kuintit dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, për të mos lejuar që deputetët e Listës Serbe të bllokojnë këtë marrëveshje.

Deputetët serbë në këmbim të votës “pro” kanë kërkuar garanci nga ndërkombëtarët dhe partnerët e koalicionit qeveritar një qasje konstruktive të Kosovës në raport me dialogun e Serbisë dhe zbatim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Në takimet me përfaqësuesit e Kuintit, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë luajtur rol konstruktiv.
Deri më tani ka pasur shumë pak deklarime të përfaqësuesve të kësaj partie për sa i takon kësaj teme.

Ka qenë vetëm deputeti Igor Simiç, i cili dy ditë më parë kishte deklaruar se Demarkacioni me Malin e Zi ka rëndësi vetëm për shqiptarët dhe jo për serbët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb