TIRANE- Kreu i Grupit Parlamentar të LSI, Luan Rama nuk i ka kursyer sërish sulmet ndaj qeverisë, ndërsa i ka kthyer përgjigje dhe ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Nga Vau i Dejës, një ditë para ‘1 Prillit’ datë e shumëpërfolur sa i takon kontratës së koalicionit, Luan Rama pohoi se LSI nuk ia luan syrin as PD dhe as PS-së.

“LSI forcë politike e dialogut dhe transparencës. LSI nuk ja luan syrin as PD dhe as PS. LSI i ka sytë tek e vërteta dhe zemrën tek qytetarët. Zgjedhje sipas standardeve për Shqipërinë, jo zgjedhje për partine! Propozimet e Shpëtim Idrizit përpjekje për kontribut pozitiv, mbështesim thelbin racional të propozimeve të tij.”, tha Rama.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri me anë të një statusi dje në “Facebook’ i cilësoi goditje tendencioze sulmet e LSI ndaj qeverisë, pavarësisht se është pjesë e koalicionit qeverisës. Tahiri iu kundërvu LSI-së sa i takon faktit se kjo e fundit nuk merr pjesë në zgjedhjet për kryetar bashkie në Kavajë, me pretendimin e ‘është farsë pa opozitën’, ndërsa shtoi se ‘Po sulmoni PS duke i shkelur syrin PD’. Ai shtoi se LSI më mirë të thotë që nuk dëshiron të merret me fushatën e Kavajës, dhe kjo sipas Tahirit është e mirëkuptueshme. Ndër të tjera ai ripërsëriti edhe njëherë deklaratën e tij të mëparshme, ndërsa shtoi se me apo pa LSI, PS do vijojë përpara për të fituar në zgjedhjet e 18 qershorit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: