TIRANE – Presidenti, Bujar Nis hani njëherësh dhe Komandant i Forcave të Armatosura ka bindjen se rasti i majorit Sokol Feka nuk njollos imazhin e Forcave tona të Armatosura. Por sipas tij ky rast ishte një dështim i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Rastin e major Fekës të përfshirë në trafik droge, presidenti Nishani e konsideron si një prej pasojave të emërimeve politike dhe përqendrimit të kompetencave. Në një intervistë për ‘ABC News’, Nishani tha dje se, përgjegjësi direkte ka kreu i shërbimit inteligjent të ushtrisë, i cili nuk emërohet më nga presidenti.
Z.President, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, majori Sokol Feka gjeti vdekjen dje tek pilotonte një helikopter me hashash. Cili është komenti juaj?
Është shpejt të bëj komente. Më së pari është një çështje që u takon autoriteteve përkatëse të Spanjës për të bërë hetimet e plota të këtij rasti. Më pas është e nevojshme që autoritetet shqiptare të interesohen në lidhje me përfshirjen e një shtetasi shqiptar, më tepër të një ushtaraku. Në këtë rast më duhet të them që, gjithsesi, imazhi i Forcave te Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk mund të njolloset nga një rast i tillë. Forcat e Armatosura dhe Ushtria e Republikës së Shqipërisë, një vend anëtar i NATO-s ka një performancë të admirueshme të funksionimit dhe ofrimit të kontributeve të saj, por rasti konkret ngre një shqetësim dhe në gjykimin tim më të parë, konstatohet një dështim në këtë rast, i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Ky ka qenë një shqetësim që unë e kam ngritur edhe më herët, në momentin kur u hoq kompetenca e Presidentit të Republikës, Komandant i Përgjigjëm i Forcave të Armatosura për të bërë emërimin e kreut të inteligjencës së ushtrisë. E kam shprehur më tej kur kam konstatuar politizimin e kësaj Agjencie, pasi kam qenë dhe mbetem i bindur që largimi nga kornizat e Kushtetutës dhe ligjit, përfshirja në një proces politizimi të institucioneve të tilla dhe të një kontrolli të plotë vetëm të një institucioni, siç është qeveria, krijon dobësi në funksionimin e institucioneve, krijon, për shkak të familjaritetit dhe lidhjeve të tilla për interesin politik, largim nga profesionalizmi dhe e vendos në raporte të tilla, që dalëngadalë fillon dhe dëmtohet efiçenca e funksionimit të institucioneve të tilla. Ky është një rast, i cili duhet parë në këtë kontekst, sesa nuk kanë funksionuar institucionet që kanë për detyrë të hetojnë, monitorojnë, kontrollojnë përfshirjen e ushtarakëve në veprimtari të tilla kriminale. Agjencia përkatëse ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe unë pres të shoh një angazhim të institucioneve, tashmë, që ka në varësi këtë Agjenci, të gjykojnë dhe vlerësojnë me shumë seriozitet këtë situatë.
A është ky një nga ato momente kur një ministër duhet të mbajë përgjegjësi politike?
Unë nuk do të hyja në komente të tilla për sa kohë kjo është një çështje që i takon në radhë të parë kryeministrit dhe qeverisë për të reflektuar në këtë çështje. Për mua është shumë e rëndësishme që, fenomene të tilla të hetohen dhe të vlerësohen në tërë dimensionin që ato mbartin.
Mazhoranca i shkoi deri në fund angazhimit të saj për të ndryshuar ligjin për Gjykatën e Lartë edhe pse ishte një ligj të cilin ju kërkuat që ta rishqyrtonte Kuvendi, pasi e cilësuat si një kufizim të kompetencës suaj kushtetuese përzgjedhjen dhe dërgimin në Kuvend të kandidatëve për në Gjykatën e Lartë. Pas këtij veprimi të mazhorancës, a mund të na zbardhi diçka?
Është kthyer në një shqetësim jo vetëm të demokracisë shqiptare, por dhe të angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë prishja e funksionimit normal të institucioneve të tilla siç është Presidenti-Parlamenti, Presidenti-Qeveria duke kultivuar për herë të parë një praktikë të pandeshur më parë edhe në demokracinë shqiptare ‘të rrëzimit të pandalshëm dhe të pandërprerë të gjitha dekreteve të Presidentit të Republikës’, i cili nuk është një raport politik me Presidentin e Republikës. Është një qëndrim në raport me mosrespektimin e Kushtetutës, dhe mbi të gjitha me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ju konfirmoj që çdo ndërmarrje konkrete që u bë për të ndërhyrë në ligj ka qenë tërësisht e njëanshme, por dhe me një premtim zyrtar ndaj Presidentit se nuk do të ndërmerrej asnjë hap legjislativ pa konsultën, pa miratimin, dhe pa konsensusin e Presidentit meqë bëhej fjalë për të ndërhyrë drejtpërdrejtë në kompetencën kushtetuese të Presidentit. Pra, krijimi i një këshilli i pretenduar me kompetenca këshillimore, ‘de facto’ me kompetenca emërimi dhe përcaktimi, por për të dyja rastet antikushtetues, pasi edhe në rastin këshillimor dhe në rastin e emërimit dhe përcaktimit, Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë mjaft të qarta për sa i takon konceptit të dekretit të Presidentit të Republikës për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Pushteti legjislativ është në të drejtën e tij të ndryshojë legjislacionin, por ky legjislacion duhet të ndryshojë në bazë të shkallës dhe hierarkisë ku përfshihen normat kushtetuese përkatëse. Prandaj, për të hequr të drejtën që ka Presidenti i Republikës për të dekretuar anëtarët e Gjykatës së Lartë, duhet të ndryshojë Kushtetuta. Nuk mundet të kufizohen apo t’i hiqet ‘de facto’ e drejta Presidentit për dekret të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë duke ndryshuar një ligj, qoftë ky dhe me shumicë të cilësuar. Unë mbetem në bindje të plotë që qëndrimet e qeverisë dhe shumicës parlamentare në rastin e rrëzimit të dekreteve apo dhe të rrëzimit për dekretin e ligjit që u kthye në Parlament kanë të bëjnë krejtësisht me një qëndrim, i cili nuk shkon në përputhje me përcaktimet kushtetuese.
Do ta çoni këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese?
Me siguri. Me gjithë këtë klimë mesa duket prisni që të rrëzohen dhe dy dekretet e tjera që i keni dërguar në Kuvend për anëtarët e Gjykatës së Lartë? Të paktën nga letra që u dërgua në krerët e grupeve parlamentare të mazhorancës, zotit Ruçi dhe zotit Vasili u la kjo ndjesi, kjo përshtypje. Faktet që deri tani në asnjë rast nuk janë trajtuar me pozitivitet dekretet e Presidentit natyrisht që të çojnë në një pritshmëri që do të kemi dhe në shqyrtimin e dekreteve të ardhshme, i njëjti qëndrim.
Çfarë prisni nga Komisioni Parlamentar për reformën në drejtësi, tashmë që opozita ka deklaruar që do të bëhet pjesë e këtij komisioni në rast se do t’i jepet barazia dhe bashkëkryesimi i tij?
Ajo është një çështje që i takon tërësisht Parlamentit, u takon partive politike. Nuk do të jepja asnjë gjykim për këtë punë dhe angazhim që u takon institucioneve dhe aktorëve të tjerë. Gjithsesi, unë vazhdoj të ngul këmbë; reforma në drejtësi kërkon një përfshirje shumë të gjerë dhe kur flas për përfshirje, nuk e kam fjalën vetëm për aktorët politikë, por mbi të gjitha e kam fjalën edhe për profesionistët, të cilët janë tërësisht të shkëputur në ndikimet e partizanizmit politik dhe militantizmit politik. E kam fjalën këtu për përfshirjen e eksperiencave më të mira evropiane, të përfshirjes së ekspertizës së Komisionit të Venecias, por njëkohësisht dhe të një elementi shumë të rëndësishëm pa të cilin unë e shoh të vështirë marrjen e një rezultati pozitiv të angazhimeve për reformën në drejtësi, që ka të bëjë me ambientin e përgjithshëm pozitiv të jetën politike, sociale dhe shoqërore në vend.
Kur pritet që KLD të ketë zv/kryetarin e tij, edhe nga pikëpamja ligjore në çfarë momenti jemi në fakt?
Këshilli i Lartë i Drejtësisë po funksionon, pavarësisht tendencave të forta për ta vënë në kontroll politik. Për fat të keq sot kemi një kontroll të plotë politik të vendosur mbi Shkollën e Magjistraturës, çka është një pengesë serioze tashmë për të besuar në një reformë të suksesshme në drejtësi, sepse të gjithë operatorët e drejtësisë janë të lidhur me sistemin e drejtësisë në mënyrë harmonike. Dhe e thashë edhe më parë që çdo kontroll politik mbi institucione të tilla paraqet një rrezik të madh për të krijuar një ambient korruptiv në funksionimin e tyre. Çështja e nënkryetarit të KLD-së është një çështje, e cila është trajtuar nga Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj. Po presim të shohim dhe të marrim të zbardhur e të elaboruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe më pas do të veprohet në raport me angazhimet që vendimi i Gjykatës Kushtetuese u kërkon të gjitha institucioneve: Parlamentit, KLDsë, Presidentit e me radhë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: