TIRANE – Gjatë fjalës së tij në konferencën Gjyqësore, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani parashtroi disa nga shqetësimet e qytetarëve për shërbimin e munguar në gjykata. Ministri Manjani përmendi vonesat e pajustifikuara në gjykim, gjyqtarët e paracaktuar që nuk zgjidhen me short, apo siç tha ai, tendenca të gjyqtarëve për të punuar sikur të jetë dita e fundit.

“Përditë në zyrën time vijnë ankesa për shërbimin e munguar në gjyqësor. Sigurisht nuk kam ndërmend të hy në raste konkrete, por problematikën në emër të publikut shqiptar duhet ta ngre, është detyra ime kushtetuese dhe ligjore që ta bëj një gjë të tillë. Vemi re disa tendenca shthurje dhe shkartisje në punën e gjyqësorit. Vonesa në gjykim, të pajustifikuara, është shtuar numri i seancave të shtyra për efekt të raporteve mjekësore. Janë shtuar shumë raportet mjekësore midis jush. Ju lutem përpiquni të fokusoheni tek çështjet që kanë të bëjnë me përgjegjshmërinë. Jam gati të identifikoj trupe të caktuara gjykuese brenda shkallës së parë që gjykojnë një çështje dhe jam gati tua them se kush do jetë trupa gjykuese që do ta gjykojë në apel. Dhe ky nuk është short, është diçka tjetër. Ky fenomen kryesisht vihet re në Tiranë. Ka një tendencë, se po punohet si për ditën e fundit dhe kjo nuk është e pranueshme për një trupë gjyqësore. Ata që e mendojnë veten si për ditën e fundit janë ata që e mendojnë veten të larguar nga reforma në drejtësi. Papërgjegjshmëria vetëm e rëndon pozitën e tyre.”- deklaroi Manjani.

“Duke pritur Godonë, që diçka po ndodh me reformën, hajde ti biem në top. Kjo nuk shkon miqtë e mi. Jeni ju që duhet të na korrektoni ne dhe jo ne t’ju japim leksione se si duhet të silleni. Unë ju kërkoj ndjesë nëse kjo parashtesë e imja mund të konsiderohet ndërhyrje, nuk është ky qëllimi im, por po parashtroj disa prej problemeve që vihen re sot për mënyrën se si po sillet gjykata. “- vijoi Manjani.

Pasi i kërkoi ndjesë qeverisë franceze për lirimin e Konjarit, Ministri i Drejtësisë tha se duhet t’i kërkojë ndjesë në emër të gjyqtarëve edhe qeverisë italiane e disa qeverive të tjera, të cilat kanë punuar për kapjen e të kërkuarve, që në Shqipëri janë liruar.

“Kur i kërkova ndjesë qeverisë franceze e kisha një hall dhe duhet t’i kërkoj ndjesë edhe qeveris italiane dhe disa qeverive të tjera që harxhojnë para, hetojnë ndërsa drejtësia jonë i liron. Dua të bëj këtë ndjesë edhe në emrin tuaj. Ju lutem shumë të jeni të përgjegjshëm. Ta shikoni këtë vend si ditën e parë të vendit ku po rrisim fëmijë. Punë të mbarë sot e gjithë ditët në vijim deri sa të vijmë në standardet që na kërkon Europa, shteti shqiptar, shoqëria shqiptare për gjykime të drejta të shpejta dhe të paanshme.”- tha ministri.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: