Nga: KIÇO BLUSHI *
Në të gjitha diktaturat, pavarësisht nga idetë dhe ngjyrat partiake, nga emrat e sundimtarëve, qofshin këta politikë a fetarë, të gjithë i besojnë samëska mrekullisë së propagandës.
Në sajë të autopropagandës ata kujtojnë se janë jo vetëm të pazëvendësueshëm e të pavdekshëm, pse jo, edhe përjetësorë. Për të shkuar edhe më përtej arsyetimit, pa këtë fuqi çudibërëse të presupozuar vështirë se do të gjendeshin, edhe në vitin 2015, kamikazë dhe terroristë të cilët shkojnë me qejf drejt vdekjes së sigurt të të tjerëve, e, më pas, edhe të vetes. Mjerisht, edhe në shoqëritë demokratike, në fushatat zgjedhore vazhdon po njësoj e po allasoj bombardimi intensiv i opinionit me propagandë dhe demagogji për të siguruar militantë dhe trushpëlarë. Kanë ndryshuar vetëm mënyra, fjalori, kravatat, sfilatat, batutat, shpotitë, po jo thelbi e qëllimi. Janë shumëfishuar fondet dhe shpenzimet marramendëse që propaganda partiake thith e shpenzon për të manipuluar votuesit, falë të cilëve shpresohet se do të kapërcehet ylberi, pra mund të kthehet kollaj humbja në fitore e dështimet të shiten si sukses i merituar.
Pluralizmi, liria e fjalës dhe e lëvizjes, shpërthimi i teknologjisë së informacionit (televizioni dhe interneti), presupozohet se, së paku teorikisht, do të duhej të kishin tjetërsuar në themel qasjen e komunikimit me opinionin publik, duke e demokratizuar atë në raport me kohën, si dhe duke ulur në minimum keqpërdorimin që i bëjnë popullit krerët partiakë. Mund të thuhet, pa frikën e gabimit, se shumë pak ka ndryshuar kjo trysni mediatike manipulative për më mirë, veçanërisht në shoqëritë post-diktatoriale. Krerët e sotëm “demokratë” të tranzicionit me fjalërimet e tyre diaretike demagogjike, me daljet e pasosura nëpër ekrane e mikrofonë qenkan ku e ku më të pangopur se pararendësit e tyre diktatorialë, të cilët, edhe pse kishin në dispozicion vetëm një kanal televiziv, nëpërmjet “formave të edukimit” mund të vinin popullin punonjës 24 orë në 24 të mësonin përmendësh broçkullat e tyre, si dikur citatet e Maos.
Kurse tani, sado të thotë publiku: “Mjaft se na çatë b…”, ata, krerët, edhe kur janë të dorëhequr, edhe kur kanë humbur, edhe kur kanë dështuar në zgjedhje, nuk largohen meazallah nga istikami që quhet ekran. Sepse prania e përditshme në media, përveçse përdoret si narkozë, duke iu krijuar iluzionin optik se nuk kanë vdekur politikisht, se kanë ndjekës, se janë ende të pëlqyeshëm e të domosdoshëm, u shërben edhe si drogë, edhe si izolant i harresës, edhe si mjet i mrekullueshëm imunitar, d.m.th. si mbrojtës nga ndëshkueshmëria.
***
Kësisoj, në këtë një çerek shekulli të pluralizmit krerët tanë e kanë bërë Shqipërinë pasqyrën më të shpërdorur e më fantazmagorike të narcisizmit politik. Besohet se nëse lideri partiak është i aftë të zotërojë telekomandën e mediave, automatikisht do të ketë në dorë edhe mendjen e vullnetin (kupto: votën) e zgjedhësve. Po të kryhet një përllogaritje elektronike e daljeve në kronika televizive dhe debate, do të thyhet, me siguri, një rekord botëror i denjë për Gines. E pra, si mund të shpjegohet ndryshe që edhe Rama, i cili ka satirizuar e sarkatizuar si rrallëkush pangopësinë e shfrenuar të Berishës për ekranet, – aq sa atëbotë thuhej se “fëmijët trembeshin në gjumë nga zëri i tij, – tani po bën të njëjtën gjë edhe vetë?… Ka vetëm një shpjegim: që edhe në post diktaturë propaganda besohet se mund të shërbejë për të njëjtin qëllim: të bindë votuesit se një ditë, nën drejtimin e krerëve aktualë, qytetarët do të besojnë se do të hanë me lugë të florinjtë, paçka se sot për sot janë duke hequr të zitë e ullirit.
Me sa duket, të gjithë krerët pandehin se qytetarët shqiptarë janë lindur të pagdhendur, të prirur e të destinuar të konsumojnë më shumë propagandë e folklor se ushqim, ndoshta ngaqë konsiderohen primitivë, si indianët që i besojnë më tepër iluzionit se realitetit, besëtytnisë, magjisë dhe mitit se faktit. Duke na konsideruar të tillë, ata besojnë se ne do të përtypim më kollaj gënjeshtrën dhe mashtrimin e stilizuar e të reklamuar bukurfort, fasadat, reklamat, showbizet, sfilatat, pasarelat, reklamat, studiot televizive sesa hidhësirën e së vërtetës. Për këtë arsye, sot ka dy realitete që sa vjen e kanë shumë më pak lidhje e komunikim mes vedi: një, i shumicës së zgjedhësve që mbijetojnë (por që nuk janë më ata të fillimviteve ‘90); dhe tjetri, ai virtual, mediatik, i një pakice, i të zgjedhurve, i zaptonjësve të ekraneve, i parisë politike që tani nuk jeton e punon më në Bllok, por vetëm nëpër ekrane… Mes këtyre dy shtresave shoqërore, të ndara thikshëm, e vërteta ka mbetur si një foshnjë e braktisur, e asfiksuar, e hedhur në kazan të plehrave, në mos e mbytur që në djep nga shpërgënjtë e demagogjisë, gënjeshtrës dhe mashtrimit mediatik.
Shumëkush ka besuar se kjo pangopësi e krerëve me veten e për veten buron prej dëshirës së tyre të shfrenuar për protagonizëm, një cilësi kjo e trashëguar, gati-gati si një sëmundje tipike e gjenetike e bajraktarëve ballkanikë. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Të paaftë të kryejnë reforma cilësore, të realizojnë premtimet që patën bërë nëpër fushata, dhe që falë tyre, të mirësevijë përparimi, mirëqenia dhe lufta rezultative kundër krimit dhe korrupsionit, nuk ka ditë që ne lajmpërtypësit të mos dëgjojmë fjalë, fjalë e vetëm llogje Kavaje, sherre e grindje, lënie të kopilit në derë të njëri-tjetrit, debate e shifra që kundërshtojnë njëra-tjetrën, të cilat, më shumë krijojnë efektin e gallatës nëpër mejhane e kafene, sesa fitojnë besimin e publikut. Krerët e sotëm janë aq mediokër sa vazhdojnë të besojnë se mund të mbeten gjatë në pushtet, mjaft që të jenë të pranishëm nëpër media e të bëjnë propagandë, qoftë edhe duke rrahur ujë në havan, duke u hedhur, sipas një shprehjeje popullore, “trutë e gomarit” votuesve të ngratë.
***
E gjitha kjo “luftë” e ndërsjellë mediatike, kotanake, e egër dhe e pasosur, që nuk sjell asnjë dobi për shoqërinë, vazhdon të quhet politikë. Besohet se ai/ata që dalin më shumë nëpër ekrane nesër do ta ketë të fituar davanë, meqë kanë pas qenë më të pranishëm e, me gjasë, më luftarakë e më agresivë në media se rivalët e tyre. Nuk ka rëndësi ç’bën, po ç’thua në publik. Nuk ka rëndësi ç’llomotit e ç’argumente sjell, po sa agresiv, sa harbut, d.m.th. sa dominant e shkatërrues i kundërshtarit ke pas qenë. Nuk ka rëndësi nëse ke mbrojtur të vërtetën, nëse i ke bërë të mira shoqërisë, nëse ke lënë shenja të frytshme në histori. Përkundrazi, rëndësi ka sa i aftë ke pas qenë “ta bësh priftin me barrë”.
Kjo, vetëm kjo quhet e vlerësohet si politikë burrërore, e suksesshme: kur ke mundur, nëpërmjet fuqisë së propagandës t’i hedhësh hi syve tjetrit, d.m.th. publikut. Këta “karizmatikë” hokatarë, qesëndisës, batutaxhinj të pandreqshëm që qeshin me shakatë e veta para se të qeshim ne, më së pari gënjejnë veten, teksa tallen e hedhin romuze e kujtojnë se ne, që i ndjekim e i dëgjojmë pas ekranit, meqë jetojmë në tufë, jemi “pa kulturë të mjaftueshme demokratike”, andaj do të hamë sapunin për djathë e do të ndihemi të kënaqur e të lumtur, njëlloj si ata buajt e lopët në stallë që edhe natën, teksa flenë në këmbë, ripërtypin kashtën e hedhur në grazhd. Duke na trajtuar kësisoj, herë si bagëti ripërtypëse dhe herë si ca enë bosh, pa tru, ata nuk na fyejnë neve, po ia shkurtojnë ditët vetes, pasi zgjedhësi i sotëm, pavarësisht nga formimi dhe nga kultura përkatëse, pavarësisht nga bombardimi mediatik, një ditë do të tejngopet, do të urguset dhe do të kthehet domosdoshmërisht kundër tyre, kundër idhujve të rremë, si ndodhi së fundi në Greqi e jo vetëm.
Edhe pse teknologjia e informacionit po sundon botën, nuk ka Robinson Kruzo i cili mund t’i shpëtojë qind për qind manipulimit e ta hajë gënjeshtrën si një karamele, ndonëse me këtë trysni mediatike jemi të detyruar të bashkëjetojmë e, pse jo, edhe t’i dorëzohemi. Por, ashtu si njerëzit që kanë imunitet të ndryshëm ndaj sëmundjeve, disa popuj e kuptojnë herët dhe marrin masa parandaluese ndaj infeksioneve, disa të tjerë më vonë. Vetëm se, si ka pas thënë një President amerikan, popujt, pavarësisht nga niveli i tyre kulturor, nuk mund ta hanë gënjeshtrën e mashtrimin gjatë, aq më pak përjetësisht. Qytetarët, aq më tepër popujt, kur vijnë në vete, d.m.th. kur u del droga e kur e kuptojnë që janë gënjyer e mashtruar, janë të prirur e të gatshëm të bëjnë të pabërën, përmes përmbysjeve e revoltave, duke shembur idhujt, statujat, monumentet, madje edhe përkujtimoret e krerëve dikur të adhuruar. Por më së pari ata hidhen në revoltë kundër mashtrimit mediatik. Këtë dukuri ne e kemi provuar disa herë në histori. E megjithatë, për fat të keq, krerët tanë nuk kanë zënë mend.
Para katër shekujsh Makiaveli thoshte: Udhëheqësi i mirë dhe i mençur nuk i harron kurrë tri gjëra të rëndësishme: di ku del, di kur del e di çfarë thotë. A mund të themi se cilën nga këto tri rregulla respektojnë krerët tanë?
Kam frikë se asnjë. Qofsha i gabuar!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: