Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, sipas NATO-s, është çështje e brendshme e institucioneve të Kosovës.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, NATO ka thënë se mbështet zhvillimin e FSK-së brenda mandatit që është krijuar për këtë forcë.

“Struktura, mandati dhe misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës, nuk vendosen nga NATO. Kjo është çështje e brendshme e institucioneve të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e NATO-s nga Brukseli dhënë Radios Evropa e Lirë.

“NATO mbështet zhvillimin e FSK-së brenda mandatit që ka. Nëse mandati i FSK-së ndryshon, Këshilli Veri-Atlantik, do të duhej të rishqyrtonte nivelin e angazhimit të NATO-s”, theksohet në përgjigje.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, krijimi Forcave të Armatosura mund të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese që bëhet nga dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës duke përfshirë edhe dy të tretat e votave nga deputetët që përfaqësojnë komitetet pakicë në Kuvend.

Ky transformim është kundërshtuar kategorikisht nga përfaqësuesit e Listës Serbe, çka e ka komplikuar gjithë procesin e transformimit.

Në vitin 2017 Kosova ka marr një iniciativë për ta krijuar ushtrinë vetëm me ligj dhe pa ndryshime kushtetuese, por kishte hasur në kundërshtime të ashpra nga SHBA dhe NATO./REL.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: