Etrit Berisha është duke zhvilluar një super sezon te Atalanta pas huazimit nga Lacio, duke i mahnitur të gjithë me paraqitjet e tij. Portieri shqiptar është një nga pikat më të fortë të ekipit bergamask, që synon të kualifikohet për në Ligën e Europës.

Edhe pse drejtuesit e klubit të Atalantës janë shprehur se do të blejnë kartonin e tij në fund të sezonit, sërish e ardhmja e Berishës do të zgjidhet vetëm në verë. Këtë gjë e ka zbuluar vetë drejtori sportiv i Atalantës, Xhovani Sartori, i cili është shprehur: “Klubi është shumë i kënaqur nga paraqitja e Etrit Berishës, portieri ynë është titullar përveçse edhe është numri 1 i Kombëtares shqiptare”, deklaroi fillimisht Sartori.

Më tej, drejtori sportiv i bergamaskëve u shpreh: “Për të ardhmen e skuadrës tonë, kemi vendosur të diskutojmë në fund të sezonit, për të studiuar dhe vlerësuar me kujdes çdo gjë. E ardhmja e tij? Atalanta e ka marrë në huazim për kohëzgjatjen e një viti duke ruajtur në fund të drejtën e blerjes së plotë të tij. Ndaj edhe për të vlen i njëjti diskutim si të tjerët, vetëm nga qershori e mbrapa do të dimë nëse do të vazhdojë të jetë me ne”, tha ai për mediat italiane.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb