Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Policia e Kosovës mohon zërat: Nuk ka prani të njësive serbe në veri

Policia e Kosoves

Mediat kosovare raportuan se persona të maskuar me uniforma dhe emblema të ushtrisë serbe, të armatosur me armë të rënda, janë duke vepruar në territorin e Kosovës në pjesën veriore, në malet e Leposavicit.

E praninë e tyre në atë terren e kishte konfirmuar edhe vetë KFOR-i, i cili kishte thënë se, cili do që të jetë aktiviteti i tyre është nën përgjegjësinë e autoriteteve të sigurisë vendore që të vëzhgojnë dhe të sigurohen se nuk po rrezikohet siguria e vendit.

Për këtë ka reaguar Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë veri.
Policia e Kosovës ka sqaruar se “Airsoft Club Vukovi” është organizatë joqeveritare, e pavarur, jo fitimprurëse, e cila sipas statutit të saj, i përket shoqërisë sportive dhe duhet të promovojë kryesisht disiplinë sportive. Ishte formuar bazuar në ligjin për lirinë e bashkëpunimit mes OJQ-ve, në kuadër të ligjit 04/L-57.

“Nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në Mitrovicë veri, sot me 12.01.2018, është zhvilluar bisedë me të apostrofuarin Momcilo Arlov, i cili ka deklaruar se bëhet fjalë për fotografi të vjetra, ndërsa shumica e fotografive të paraqitura janë nxjerrë nga interneti, e gjithashtu ka deklaruar se klubi ‘Air Soft Vukovi’, nuk ka patur asnjë aktivitet që nga gushti i vitit 2016”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.

Policia rajonale e Mitrovicës, ka siguruar se ky institucion me përkushtimin më të lartë në shërbim të të gjithë qytetarëve, do të vazhdojë të ushtrojë aktivitetet e saja në kuadër të autorizimeve ligjore, për të parandaluar çdo formë të aktiviteteve kriminale të çfarëdo lloji qofshin ato.

“Gjithashtu, vlen të theksohet se në funksion të garantimit të sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit, Policia e Kosovës ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm edhe me mekanizmat tjerë relevant si ata vendor dhe ndërkombëtar, me theks të veçantë KFOR-in”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë i Policisë
Për qëllime të sqarimit dhe informimit të drejtë dhe të saktë të opinionit dhe mediave lidhur me informatat e plasuara sot në portalin Indeksonline nën titullin “KFOR-i konfirmon praninë e njësive serbe të armatosura në veri”, sqarojme se: “Airsoft Club Vukovi” është organizatë joqeveritare, e pavarur, jo fitimprurëse, e cila sipas statutit të saj, i përket shoqërisë sportive dhe duhet të promovojë kryesisht disciplinë sportive. Ishte formuar bazuar në ligjin për lirinë e bashkëpunimit mes OJQ-ve, në kuadër të ligjit 04/L-57.

Organizata në fjalë, “AirSoft Club Vukovi” Mitrovicë veri, e cila udhëhiqej nga Momcilo Arlov, është suspenduar/ngrirë së funksionuari me vetë kërkesën e udhëheqësit të kësaj OJQ-je, në bashkëpunim me Ministrinë përkatëse, menjëherë pas aktiveteve të fundit të cilat i patën ndërmarrë në muajin gusht të vitit 2016, dhe që nga ajo ditë, asnjë aktivitet i llojit të njëjtë nuk është regjistruar në asnjë nga komunat më veriore të Republikës së Kosovës.

Nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në Mitrovicë veri, sot me 12.01.2018, është zhvilluar bisedë me të apostrofuarin Momcilo Arlov, i cili ka deklaruar se bëhet fjalë për fotografi të vjetra, ndërsa shumica e fotografive të paraqitura janë nxjerrë nga interneti, e gjithashtu ka deklaruar se klubi “Air Soft Vukovi”, nuk ka patur asnjë aktivitet që nga gushti i vitit 2016.

Policia e Kosovës, gjatë vitit 2016, patë ndërmarrë një fushë të gjerë të hetimeve për të siguruar të gjitha informatat lidhur me funksionimin e kësaj OJQ-je, ndërsa ka intervistuar dhe kontrolluar të gjitha pajisjet replika të armëve, duke siguruar se asnjë nga to nuk kanë qenë armë zjarri.

Për më tepër, njësitë policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë veri, në baza ditore kanë dhe janë duke vepruar me qëllim të parandalimit të aktiviteteve të ndryshme kriminale përfshirë zonat urbane dhe ato rurale, dhe gjatë aktiviteteve të tilla policore në zonat rurale, nuk është regjistruar asnjë nga informatat e mundshme nga banorët e këtyre zonave për aktivitete të ngjashme.

Marrë parasysh se informata të këtilla të pakonfirmuara, mund të ndikojnë në ndjenjën e pasigurisë së qytetarëve, ju sigurojmë se Policia e Kosovës, me përkushtimin më të lartë në shërbim të të gjithë qytetarëve, do të vazhdojë të ushtroj aktivitetet e saja në kuadër të autorizimeve ligjore, për të parandaluar çdo formë të aktiviteteve kriminale të çfarëdo lloji qofshin ato.

Gjithashtu, vlen të potencohet se në funksion të garantimit të sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit, Policia e Kosovës ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm edhe me mekanizmat tjerë relevant si ata vendor dhe ndërkombëtar, me theks të veçantë KFOR-in.
Me respekt Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë veri.

(m.k/BalkanWeb)





Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.