Nga: Ermelinda Hoxhaj

Sëmundja e osteopo-rozës, ose dëmtimi i kockave nuk është ende e njohur si duhet në vendin tonë. Statistikat botërore tregojnë se 1 në 3 femra dhe 1 në 5 meshkuj të moshës mbi 50 vjeç janë të prekur nga sëmundja e kockave, ndërsa në vendin tonë, sipas mjekëve, kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë për shkak të kushteve të vështira të jetesës dhe shkallës së ulët të diagnostikimit. Ndërkohë që përveç kësaj, mungon informacioni për mënyrat e parandalimit të saj, por edhe për trajtimin e të sëmurëve, i cili tashmë është i mundshëm. Humbja e masës kockore fillon si te burri, edhe te gruaja, pasi kanë kaluar 35 vitet. Por, tek femrat kjo theksohet edhe më shumë në menopauzë e pas saj. Sipas mjekes së shëndetit publik, Lumturi Mërkuri, më të rriskuara nga kjo sëmundje janë femrat që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale për të hequr mitrën.

Parandalimi & Dieta
Pas moshës 20 vjeç, hollimi i kockave është një proces natyral, i cili nuk mund të ndalet plotësisht, prandaj ndërgjegjësimi për osteoporozën duhet të fillojë që në moshë të re. “Mënyra më e mirë për të parandaluar dobësimin e kockave është të fillohet aktiviteti fizik dhe zakone të shëndetshme të ushqyerjes qysh në fëmijëri dhe të ruhen këto zakone edhe në moshë të rritur”, – thekson specialistja e Shëndetit Publik, Lumturi Mërkuri. Sipas saj, bërja e ushtrimeve të rregullta fizike luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe mbajtjen e masës kockore. Ushtrimet janë individuale, por përgjithësisht shumica e njerëzve ka nevojë për 30-40 minuta 3 deri 4 herë në javë. Marrja e kalciumit në sasi të mjaftueshme, sasia e kalciumit që duhet të konsumojmë ndryshon në stade të ndryshme të jetës. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi e produktet e tij, peshku i konservuar dhe sardelet, drithërat, perimet jeshile si brokoli dhe lakra jeshile, disa fruta si portokalli, kajsia, fiqtë e thatë, arrat, bajamet, lëngjet e frutave, etj. Më tej, ajo sqaron se: “Vitamina D është gjithashtu esenciale për përthithjen e kalciumit. Ekspozimi për 15 minuta në ditë në diell i duarve, krahëve dhe fytyrës është zakonisht i mjaftueshëm për prodhimin e vitaminës D për shumicën e njerëzve”. Vitamina D mund të sigurohet edhe nga ushqimet dhe suplementet. Ushqime të pasura me vitaminë D janë vaji i peshkut, veza, mëlçitë, drithërat etj.. Ndjekja e një stili të shëndetshëm jetese është pjesë e kujdesit për kocka të shëndetshme. Evitimi i duhanpirjes, pirja e moderuar e alkoolit, si dhe mbajtja brenda kufijve të normës e peshës trupore janë disa faktorë të rëndësishëm. Kafeina dhe kripa mund të rrisin humbjen e kalciumit nga trupi dhe nuk duhet të merren në sasi të tepërt. Alkooli duhet gjithashtu të merret në sasi të moderuar. Megjithëse nuk ka të dhëna bindëse që tregojnë se pijet e gazuara joalkoolike (psh. pijet “Coca Cola”) dobësojnë kockat, nuk duhet tepruar me to.
Frakturat
Aktualisht vlerësohet se mbi 200 milionë njerëz në mbarë botën janë prekur nga osteoporoza. Osteoporoza është përgjegjëse për shumicën e frakturave në njerëzit mbi 50 vjeç. Afërsisht 1 në 3 gra dhe 1 në 5 meshkuj mbi moshën 50 vjeç do të pësojnë një thyerje kocke për shkak të osteoporozës. Te femrat mbi 45 vjeç llogariten më shumë ditë qëndrimi në spital nga osteoporoza sesa nga sëmundje të tjera si infarkti, diabeti, kanceri i gjirit etj. Te meshkujt rreziku i thyerjeve nga osteoporoza është 27% më i lartë se rreziku nga kanceri i prostatës. Osteoporoza shkakton më tepër se 8.9 milionë fraktura në vit. Thyerjet e kockave të legenit shkaktojnë sëmundshmëri të madhe me një nivel vdekshmërie deri në 20-24% në vitin e parë pas frakturës. Vetëm në Bashkimin Evropian kostoja e frakturave të tilla është mbi 37 bilionë euro çdo vit dhe do të rritet me 25% në vitin 2025. Urbanizimi dhe plakja e popullsisë po çojnë në rritje të shpejtë të barrës së sëmundshmërisë prej osteoporozës. (Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: