Nga: Zef BUSHATI*
Sot gjerësisht flitet për një reformë në drejtësi, për një krizë në prokurori e në sistemin gjyqësor, e cila, më shumë është kompetencë e juristëve për t’u analizuar nga ana profesionale, por sipas meje, edhe e sociologëve, analistëve apo deri në një përfshirje edhe të qytetarëve të thjeshtë, të cilët, edhe ata si juristët, janë pjesë përbërëse e proceseve që po kalon vendi. Duke mos e studiuar fenomenin, duke mos e studiuar në mënyrë të gjithanshme, duke mos marrë në konsideratë edhe shkaqet sociale, vështirë të gjenden lehtë zgjidhjet e kësaj krize, e cila sa vjen e po bëhet jo vetëm më e dukshme e publike, por edhe shumë e rrezikshme për vendin dhe shoqërinë shqiptare. Asnjë gjyqtar ose prokuror, asnjë avokat apo noter, pra asnjë jurist nuk është kompetent edhe në sociologji dhe nuk mund të japë zgjidhje për çdo problem të zhvillimeve shoqërore. Çështja që kërkon studim është: Sot, qytetarët, shtetasit e kuptojnë korrupsionin si mënyrë jetese në Shqipëri! Jep para se blen gjithçka: edhe votën, edhe botën. Merr para se blen gjithçka: edhe bukën, edhe kupën. Prandaj kërkohet një bashkëpunim i gjerë, pasi është disi e vështirë të gjesh të gjitha shkaqet e më pas zgjidhjen e tyre në këtë krizë mosbesimi te pushteti gjyqësor, ku korrupsioni i përhapur në çdo fushë është shndërruar në një “e keqe e zezw”, e madhe dhe e vërtetë e shoqërisë.
Qenit “drejtësi” nuk i duhet zgjatur litari nga ligji, sa për të trembur fajtorin apo kundërshtarin, por qeni “drejtësi” duhet lëshuar i lirë që të bëjë drejtësi sipas ligjit ndaj fajtorit.
Për t’i dhënë shpjegime çështjes se “njerëzit e kuptojnë korrupsionin si mënyrë jetese në Shqipëri”, analiza duhet të nisë nga gjyqësori. Disa specialistë thonë se kriza e gjyqësorit mund të zgjidhet në shumë mënyra, p.sh. me studime më intensive dhe impenjim individual, me struktura më të mira të pushtetit gjyqësor dhe mjete materiale si informatizimi e teknologjia, me ligje të reja dhe me një rigorozitet disiplinor më të madh etj., etj. Dakord, por nga ana tjetër duhet edhe të studiohen shkaqet e krizës, të cilat vijnë edhe si rrjedhojë e korrupsionit të gjerë dhe e “lehtësisë” së gjyqtarëve në marrjen e vendimeve. Shkaqet vijnë edhe nga politizimi i gjyqtarëve, që zgjidhjet e konflikteve i gjykojnë duke ndjekur “këshillat” apo lidhjet me këtë ose atë parti politike, me këtë apo atë funksionar të lartë, dhe jo në zbatim korrekt të ligjit. Shpesh dëgjohet p.sh. mbi realitetin e zgjatjes së tepërt të proceseve gjyqësore dhe veçanërisht mbi nevojën e reformave. Në mjaft raste dëgjojmë të denoncohet edhe ndonjë tentativë nga një pjesë e gjyqtarëve apo prokurorëve, të cilët vendosen kundër fakteve dhe fuqisë legjislative, duke marrë vendime jo të drejta, që ndikojnë kështu në proceset dhe në orientimin e politikave të veçanta.
Normat e proceseve të reja integruese ku ka hyrë vendi ynë kërkojnë reformë në gjyqësor, kërkojnë rregullimin tashmë të kësaj krize kronike të gjyqësorit dhe prokurorisë, e ndoshta dhe marrjen e masave paraprake organizative dhe disiplinore. Problemet e drejtësisë shqiptare reflektojnë në dramat e shoqërisë shqiptare. Qytetari ndihet i kërcënuar dhe i pasigurt. Shumë dhunë dhe shumë vrasje mizore. Shumë akuza për korrupsion të pazbardhura dhe të pagjykuara. Shumë të pandehur të akuzuar dhe shumë çështje të pushuara. Shumë lehtësira ndaj personave shoqërisht të rrezikshëm dhe shumë tolerancë ndaj personave të veshur me pushtet.
Plaga e korrupsionit, terrorizmit dhe kriminalitetit, të organizuar apo spontan, rrit vështirësitë e qeverisjes. Pavarësisht se keqbërës, kriminelë, drogmenë, hajdutë, bien në prangat e policisë, prokuroria e gjyqësori nuk i përgjigjen me të njëjtin ritëm. Qëllimi i reformave që duhen ndërmarrë është që të kemi një drejtësi të shpejtë, të paanshme dhe efikase.
Ky është çelësi i leximit të dy lidhjeve, të gjyqësorit nga njëra anë dhe Prokurorisë së Përgjithshme nga ana tjetër, lidhje e cila është kërkuar e po kërkohet me ngulm nga partnerët tanë ndërkombëtarë e veçanërisht nga aleati ynë kryesor SHBA e BE. Bëhet fjalë pra, për t’u dhënë një jetë të re institucioneve më pak të funksionueshme të sistemit të drejtësisë.
Gjyqtarët “e mirë” ose avokatët me “eksperiencë” dinë të gjejnë zgjidhje “paqësore” të çështjeve më të ndërlikuara, por ata nuk shpëtojnë dot në përfundim të proceseve nga akuzat e rënda në adresën e tyre për korrupsion. A mos ndoshta kjo është një mënyrë për të zvogëluar prapambetjen ekonomike të trashëguar nga regjimi komunist?! Po a është e ndershme të pasurohesh nëpërmjet korrupsionit duke abuzuar me ligjet? Mos do të duhet një polic i prokurorisë për çdo lagje, i gatshëm për të dëgjuar dhe për të ndërhyrë ? A mos duhet një drejtësi për të gjithë, edhe për të varfrit, nëpërmjet mbrojtjes juridike falas nga Institucioni i Avokatit të Popullit?
Kriza e drejtësisë është kronike. Gjyqësori dhe Prokuroria janë në mënyrë të pamohueshme në krizë, veçanërisht për shkak të “fuqisë” së përhapur të pushtetit korruptiv. Çfarë do të thotë “kriza e drejtësisë”? Fjala “krizë” – do të thotë turbullim në jetën e një individi ose të një shoqërie, me efekte pak a shumë të rënda dhe të zgjatura në kohë. Fjala “drejtësi” është e përdorshme tani në gjuhën e përditshme të qytetareve për të kuptuar kategorinë apo trupin e gjykatësve dhe prokurorëve që e kanë në dorë drejtësinë për ta vendosur nëpërmjet zbatimit të ligjit.
Vendoseni pra, çfarë prisni? Prandaj kriza e drejtësisë është kriza e gjykatësve dhe prokurorëve.
Në fakt, prej shumë kohësh populli nuk ka besim te gjykatësit dhe prokurorët. Drejtësia në Shqipëri është, akoma sot, shumë e ngadaltë, shumë larg prej parashikimeve të cilave asaj i kërkohen, është ende larg për plotësimin e standardeve që kërkon anëtarësimi në BE dhe e akuzuar rëndë për korrupsion. Kjo ngadalësi nuk sjell rregull, por kundërshtime, dhe cenon sigurinë në jetën e përditshme. Sistemi kërkon rregullim dhe reforma që të mund t’i jepet fund kësaj ngadalësie kronike të drejtësisë. Popullit pret reformë në drejtësi.
Politika në Shqipëri nuk duhet të ketë një sistem shpërndarjeje të fuqive në mënyrë horizontale, por duhet të arrihet standardi si në vendet e tjera europiane në mënyrë vertikale, d.m.th. shpërndarja e fuqive me një sistem vertikal në zbritje, ku në krye është kryeministri dhe më pas vijojnë fuqitë e tjera drejtuese të shtetit; kjo për t’u dhënë më shumë autonomi pushteteve të tjera si dhe enteve lokale dhe rajonale dhe për të realizuar një administrim përherë e më të saktë të shtetit. Disa nga problemet e drejtësisë janë edhe në tentativën për të çrregulluar marrëdhënien ndërmjet fuqisë legjislative dhe fuqisë gjyqësore, e gjitha në favor të pushtetit gjyqësor, duke kultivuar projektin për të drejtuar politikën nëpërmjet veprimeve të prokurorisë.
Janë zhvilluar procese pambarim, si ai i Gërdecit, apo dhe të tjera, në ngarkim të liderëve politikë, deri te procesi i cili u shndërrua si ngjarja e ditës rreth akuzave për korrupsion Meta-Prifti, apo zbardhja e ngjarjeve të 21 janarit, ku u vranë 4 qytetarë të pafajshëm. Këto lloj procesesh historia na ka treguar se kanë përfunduar shumica me pafajësi. Shumë dosje “flenë” në Prokurori në proceset pambarim. Statistikat gjyqësore tregojnë që mbajtja e proceseve pezull po shtohet gjithnjë e më shumë, ndërkohë që numri i proceseve të ardhura është në rritje dhe i proceseve të ezauruara është thuajse statik. Në këtë pikë do të pyesni; kush është kuptimi i statistikave gjyqësore në ditët e sotme? Për shembull, duke dashur të përcaktojmë kohëzgjatjen mesatare të proceseve civile të tre shkallëve, vihet re se tendenca tregon që po shtohen zgjatjet e proceseve gjyqësore në mënyrë të njëanshme deri në katër–pesë vjet e, pse jo, edhe më shumë. Statistikat gjyqësore sjellin provat e kësaj krize në drejtësinë shqiptare, në pushtetin gjyqësor.
E një rëndësie të madhe dhe temë akoma aktuale është shpejtësia e procedimeve gjyqësore dhe përgjegjësia disiplinore. Sanksione të detyrueshme për gjyqtarët e shkallës së parë, për gjykatësit e shkallëve të tjera. Heqja nga kompetenca e KLD-së dënimin e gjyqtarëve, për të evituar çdo ndërhyrje, dhe miratimin e ligjit për dënim ndaj gjyqtarëve. 1. Kur një gjyqtari i prishet një vendim gjyqësor i dhënë nga ai brenda një viti, duhet të largohet me ligj nga vendi i punës për një periudhë 1-vjeçare dhe të mos ketë të drejtë të ushtrimit të profesionit edhe si avokat. 2. Kur gjyqtarit i prishen 2 vendime gjyqësore të dhëna nga ai brenda një viti, duhet të largohet me ligj nga vendi i punës për një periudhë 3-vjeçare dhe të mos ketë të drejtë të ushtrimit të profesionit edhe si avokat. 3. Kur gjyqtarit i prishen 3 vendime gjyqësore të dhëna nga ai brenda një viti, duhet të largohet me ligj nga vendi i punës për një periudhë 5-vjeçare dhe të mos ketë të drejtë të ushtrimit të profesionit edhe si avokat. 4. Kur gjyqtarit i prishen 5-7 vendime gjyqësore të dhëna nga ai brenda një viti, duhet të largohet me ligj nga vendi i punës dhe t’i hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit si gjyqtar, e njëkohësisht të mos ketë të drejtë të ushtrimit të profesionit edhe si avokat. Sanksione jo vetëm për gjyqtarët, por edhe për prokuroret, si dhe për të gjithë sistemin e drejtësisë.
Natyrisht, kjo ndihmon atë shumicë të heshtur të gjykatësve apo prokurorëve të mirë që çojnë përpara mekanizmin e drejtësisë dhe që thirren “bletët punëtore”. Atyre u shkon mirënjohja e qytetarit, që shikon më në fund i kënaqur se kërkesat janë realizuar nëpërmjet drejtësisë dhe të sigurisë të së drejtës. Por ngjitur me ta janë të ngathëtit, të korruptuarit, neglizhentët, të pakulturuarit, ata që gjenden në vështirësi përpara kërkimit më të thjeshtë të jurisprudencës, ata që nuk janë të azhornuar me doktrinën, ose që, duke qenë të përfshirë në projekte politike, drejtohen nga pasioni, më shumë se nga ana e dobishmërisë për të bërë drejtësi me shpirt të lumtur dhe objektiv. Në këtë kategori është më lehtë të komandojë ndonjë i korruptuar që përpara ligjit e moralit sheh përfitimin në rrugë të pandershme.
Korrupsioni është një problem i përhapur në shoqërinë shqiptare e nëse dhe pushteti gjyqësor është i korruptuar, atëherë kush do ta luftojë korrupsionin?!
Disa nga këta të korruptuar, fatkeqësisht bëjnë edhe karrierë në politikë dhe bëhen deri deputetë e funksionarë të administratës së lartë.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: