Çështja “Teatri Kombëtar” edhe një herë rikthen debatin shumë të përfolur e të rëndësishëm gjatë 29 viteve të proceseve demokratike në Shqipëri. Kujt duhet t’i referohemi për zgjidhjen e problemeve tona: Partive politike apo ligjit? Artistët kanë 1 vit e gjysmë që çdo ditë protestojnë. Por a vjen zgjidhja nga protestat? Protestat nuk ofrojnë një alternativë ligjore. Kërkesa e tyre është: Teatri nuk duhet të prishet, Teatrin nuk e lejojmë të prishet dhe pikë. Nga ana tjetër, Bashkia Tiranë dhe qeveria thonë: Teatri do prishet dhe pikë. Kush e fiton këtë betejë? Me i forti apo ligji? Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta iu drejtua ligjit për zgjidhjen e konfliktit midis Aleancës për Mbrojtjen e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar. Presidenti e kishte kundërshtuar me Dekret Ligjin e miratuar nga parlamenti, i cili hapte rrugën e prishjes së godinës së Teatrit. Presidenti duke parë që po rritej konflikti midis protestuesve që mbrojnë godinën dhe policive bashkiake, private dhe Policisë së Shtetit, u drejtua personalisht në Gjykatën Kushtetuese për të depozituar Dekretin e tij për interpretim nga ana e kësaj gjykate. Këtu ligjërisht çështja u kthye në nul. Në këtë moment asnjë institucion shtetëror nuk mund të veprojë mbasi është në shkelje të ligjit. Në këtë moment të gjitha variantet e policive, bashkiake, private dhe shtetërore u larguan nga Teatri.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE i ndodhur në Shqipëri u prononcua me fjalët: Te presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është rruga e duhur ligjore për zgjidhjen e problemit dhe problemeve. Por këtë rrugë e bën pis politika, e cila edhe mbas 29 viteve ndjek rrugën e vendimeve të Komitetit Qendror të Partisë. Një vendim i tillë u firmos midis kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Çfarë fuqie ligjore ka ky dokument përveç propagandës politike?!? Çfarë fuqie ligjore ka shprehja “kur të vijë PD në pushtet”!? Po ndoshta PD nuk vjen në pushtet. Atëherë ky është një kusht politik? Ju të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, ju protestues të Astirit, ju protestues të pa kënaqur ndaj Edi Ramës, na ndihmoni që PD të vijmë në pushtet dhe ne do jua zgjidhim problemet tuaja. Politikë që jo rrallë herë ka shërbyer për marrjen e pushtetit nga PD e PS dhe mbas marrjes së tij ka vijuar me mosmbajtjen e premtimeve dhe mashtrime.

Rruga me e drejtë është rruga ligjore. Ligji është mbrojtësi më i mirë. Nëse nuk zbatohet ligji duhet të gjithë të ngrihemi për të kërkuar zbatimin e ligjit. Nëse një ligj nuk mbron interesat tona duhet të ngrihemi të kërkojmë ndryshimin e ligjit. Mjaft më me mashtrime politike që nuk të çojnë drejt zgjidhjeve, por që i shërbejnë partive për të marrë pushtetin.

Debati rreth Teatrit Kombëtar ka një motiv, i cili në shumicën e rasteve nuk lexohet qartë, dhe interpretohet sipas interesave të grupimeve të ndryshme të botës së biznesit dhe politikës. Kërkesa e artistëve është që Godina e Teatrit Kombëtar të ruhet e të kthehet në “Muzeu Kombëtar i Artit Skenik Shqiptar.” Të ruhet siç u ruajt ” Shtëpia me Gjethe” e Sigurimit të Shtetit Komunist ( ku mund të ndërtohej një ndërtesë e lartë në zemër të Tiranës ). Të ruhet, siç u ruajtën tunelet e Ministrisë së Brendshme të Shtetit Komunist apo tunelet e Byrosë Komuniste në Malin e Dajtit, etj.

Godina e Teatrit Kombëtar është histori e të gjitha gjinive të artit skenik shqiptar nga viti 1945. Aty nisën hapat e para të Teatrit, të Operës, të Baletit klasik e popullor, të filarmonisë, të Estradës e të çdo gjinie skenike. Aty interpretuan aktorët, këngëtarët, instrumentistët e valltarët më të mëdhenj të Shqipërisë.

Kjo godinë nuk i prish aspak punë ndërtimit të Teatrit të Ri Kombëtar po në atë vend, po në atë sipërfaqe të madhe në Qendër të Tiranës për të cilin sot Shqipëria ka shumë nevojë. Një Teatër Kombëtar, si të gjitha Teatrot Kombëtare Europiane, një Teatër Kombëtar me lozha, ku qytetarët ta ndjejnë veten europianë të lashtë të kontinentit Europian. Në asnjë vend të Europës nuk ka Teatër Kombëtar në një qendër biznesi. Kinema po, por jo teatër. Projekti i prezantuar çdo gjë mund të jetë, qendër biznesi, supermerket, zyra, etj., por jo Teatër Kombëtar, jo Teatro Nazionale. Në këto debate marrin pjesë mjaft njerëz që nuk e kanë idenë se çfarë është teatri dhe specifikën arkitektonike dhe akustike të tij. Në Tiranë nuk ka asnjë sallë ku mund të interpretohet teatër. Në të gjitha sallat mungon akustika teatrale. Spektatori në teatër duhet të dëgjojë jo vetëm fjalët, por edhe frymëmarrjen e personazheve, edhe psherëtimat e tyre, dhe rënkimet apo frymëmarrjet që të sjell gëzimi. Teatri është pasuria e aristokracisë së qytetit dhe e aristokracisë së shtetit. Lloj-lloj injorantësh japin mendime për arkitekturën, inxhinierinë, mjekësinë, bujqësinë, gjeologjinë, artin, politikën, diplomacinë, etj., duke mos e ditur që për të gjitha këto shkenca duhet mbaruar universiteti dhe duhen bërë edhe mastera e specializime gjithë jetën, e jo duke blerë diploma false sa andej-këtej.

Si përfundim rruga më e mirë është dialogu dhe ligji. Dialog të gjerë me intelektualë e aristokratë si dhe grupe interesi për të gjetur më të mirën e mundshme, që t’i shërbejë qytetarëve të kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë. Politika aktuale, politika mediokre, politika e interesit, të pasurit e pangopur, duhet të qëndrojnë larg këtyre diskutimeve se nuk janë pjesë e aristokracisë shqiptare, pjesë e klasës së intelektualëve dhe akademikëve të Shqipërisë. Të pasurit e pangopur më shumë ngatërrojnë se sa ndihmojnë në zgjidhjen problemeve që shqetësojnë shoqërinë shqiptare.

*ish-aktor, regjisor dhe pedagog në Akademinë e Arteve/ GazetaShqiptare

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: