TIRANË- Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje ministrit Fatmir Xhafaj që u vu nën akuzë nga opozita për shkak të vëllait të tij, të dënuar me 7 vite burg në Itali ëpr trafik droge.

Rama ashtu si Xhafaj tha se nuk ka pasur kërkesë ekstradimi nga Italia, ndërkohë që vëllai i ministrit ka shkuar me këmbët e tij sot në burg.

Në lidhje me dorëheqjen e kërkuar të Xhafajt, Kryeministri deklaroi se ‘ne nuk kemi njerëz për t’i lëshuar në dhembët e ujqërve por as nuk jemi njerëz që i kërcasim dhëmbët organeve të drejtësisë’.

“Në fund në fund që të rri në temë në politikë dallim e bën çfarë bën jo çfarë thuhet. Prandaj një udhëheqës në një parti, apo në qeveri nuk matet më një apo disa individë brenda llojit që mund të gabojnë apo që mund të bëjnë edhe krime por matet se si reagon ndaj veprimeve apo gabimeve të tyre të papranueshme. 100 herë po të kthehesh në atë shfaqjen famëkeqe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ku u kërkua arrestimi i Tahirit, 100 herë do mbaja të njëjtin qëndrim dhe të njëjtin fjalim. Jo për të mos lëshuar njeriun tonë por në funksion të një të drejte kushtetuese. Ne nuk kemi njerëz për t’i lëshuar në dhembët e ujqërve por as nuk jemi njerëz që i kërcasim dhëmbët organeve të drejtësisë.
Akuzat nuk vijnë nga organet e drejtësisë por ato as mund të neglizhohen si shumë akuza dhe as mund të lihen me sqarimet e radhës sepse tani më në majën e thikës së tyre qëndron një material konkret për të cilin dikush do përgjigjet jo me fjalë por me burg”, tha Rama.

Sipas tij, ministri i Brendshëm nuk duhet të përgjigjet, ligjërisht jo e jo por as moralisht.
“Ta marrim me radhë nga rizbulimi i një vendimi të prerë të autoriteteve italiane pavarësisht se nuk ka pasur asnjë kërkesë ekstradimi. Pavarësisht teorive të revolucionarëve që kërkojnë drejtësi po nuk lexojnë asnjë nen. Në mungesë të kësaj kërkese ligjërisht Shqipëria nuk mund të vepronte dot.
Për ne dhe për mua askush nuk është mbi ligjin. Kjo vlen për vëllain e Ministrit të Brendshëm që ka një dënim për të kryer në Itali dhe që sot ka marrë vendimin për të shkuar në burg me këmbët e veta. Ky ka qenë qëndrimi i kësaj qeverie dhe s’ka si të ish tjetër. Për mua s’ka pasur asgjë të panjohur në këtë histori. Dua të bëj një parantezë këtu. Se bëhet fjalë për një vëlla dosido por për vëllain e ministrit të Brendshëm”, u shpreh kryeministri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb