FIER- Kryeministri Edi Rama ka folur nga qyteti i Fierit pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Rama u shpreh se qeveria mbështet projektin e transformimit të qendrës së Fierit dhe se qeveria ka miratuar një paketë investimesh deri në vitin 2021 për ketë qark. Kryeministri tha se së shpejti do të nisë rindërtimi i rrugës Fier-Seman.

“Ne kemi mbështetur fuqimisht bashkinë dhe tani jemi në fazën ku duhet të realizojmë projektin e transformimit të qendrës dhe te zonës së çliruar të lumit që përshkon qytetin mespërmes dhe deri pak kohë më parë ishte i fshehur pas ngrehinave pa leje. Interesimi ynë nuk është vetëm transformimi urban në bashkinë e vjetër, por edhe një sërë politikash nxitëse në funksion të fermerëve, pasi në këtë zonë janë të interesuar për të zhvilluar ekonominë përmes punimit të tokës.

Ne kemi miratuar një paketë të ndërhyrjes prioritare në këtë qark deri në vitin 2021. Një pike e veçante e kësaj pike është edhe zhvillimi i turizmit, por edhe përmes disa projekteve si rrugët bregdetare apo edhe ndërtimin e infrastrukturës dhe hotelerisë në zonën e plazhit. Përfundimi i by passit të Fierit si një plagë e hapur si dhe rindërtimi i rrugës Fier-Seman do të fillojë së shpejti. Një tjetër projekt është edhe ndertimi i inceratorit që i jep fund problemit të mbetjeve urbane. Dy vendimet e rëndësishme që prekin qarkun janë miratuar sot dhe kanë përfitues dy bashkitë e mëdha, atë të Fierit dhe të Lushnjës. Është miratuar edhe shpronësimi për një bllok banimi në bashkinë Lushnjë, ndërsa për Divjakën është hapur drita jeshile për një investim në bujqësi”- tha Rama.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: