TIRANE– Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në seancën e sotme plenare programin e tij qeverisës për 4 vitet e ardhshme. Pasi ka uruar për detyrën kreun e ri të Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryeministri Rama u ndal tek puna e bërë në 4 vitet e kaluara, dhe përgjegjësitë për 4 vitet e ardhshme.

Kreu i Qeverisë tha se gjatë këtij viti të shoqëruar me debate, protesta, si dhe një fushatë zgjedhore, ka marrë disa mësime.

Ai tha se shumë gjëra i ka mësuar edhe gjatë takimeve me qytetarët të zhvilluara në gjithë vendin.
Sakaq, ai foli edhe për raportin me opozitën.

“Ju armiq asnjëherë, por as edhe kundërshtarë. Nuk jemi këtu asnjëra nga këto. Por ne jemi në një garë për të konkurruar për idetë tona. Nuk kemi ardhur për të luftuar me opozitën, por me idetë e saj.
Mësova se në Shqipëri nuk fiton kush i fryn zjarrit të konfliktit.

Në një nga ditët e protestës së opozitës, kryetari Basha doli në protestë bashkë me vajzën e tij të vogël. Nuk e them këtë për të risjellë në vëmendje atë moment, por dua të them se gjithçka që ne bëjnë lidhet me fëmijët tanë. E nuk duhet të harrojmë se në çdo gjë që bëjmë keq, u bëjmë keq fëmijëve të gjithë Shqipërisë”, tha kryeministri Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: