ELBASAN-Trajneri i kombëtares shqiptare, De Biasi deklaroi pas ndeshjes me Portugalinë se kualifikimi për Euro 2016 nuk është i pamundur, pavarësisht humbjes 0-1. Sipas De Biazit një gabim i lojtarëve në fund të ndeshjes i kushtoi shtrenjtë ekipit, ndërsa me futjen e Bashës u rrit niveli i lojës.

‘’Bëmë një pjesë të parë të keqe. Me futjen e Bashës u rrit niveli i lojës, ndërsa në fund u ndëshkuam për fajin tonë. Dua të theksoj se menduam se mund të arrinim rezultat pozitiv. Më shqetësoi gabimi i bërë në markim në rastin e pësimit të golit. Ishte një gabim që i kushtoi shtrenjtë ekipit tim. Portugalia krijoi raste por edhe ne e vumë në pozitë të vështirë atë’’- deklaroi pas ndeshjes trajneri i kombëtares shqiptare.

Nga ana tjetër, trajneri i kombëtares portugeze, Fernando Santos u shpreh se Shqipëria është një ekip i fortë me lojtarë të aftë teknikisht. “Mund të shënosh në fillim, por mund të realizosh në fund, pasi ndeshja ka 90 minuta. E rëndësishme është të fitosh ndaj një ekipi të fortë si Shqipëria, pasi trajneri De Biasi ka bërë një punë të shkëlqyer, siç e thashë edhe para takimit. Shqipëria ishte e fortë në mënyrë kolektive dhe mund të them që Cikalleshi, Xhaka apo Lenjani, ishin lojtarë të aftë teknikisht’- është shprehur Santos.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: