NGA JULIAN DEDA

Kur Charlie Chaplin hante këpucën, për te të treguar se varfëria është ulur këmbëkryq dhe duhet zgjidhje, sepse ne te kundërt do përfundonim duke ngrenë rrobat e trupit deri sa te vdisnim urie, askush nuk i tha: “po pse i politizon gjerat o burrë, nuk te takon, ti je artist”.

Kur Roberto Benigni godiste me forcën e fjalës se një komediani për vite me radhe Berlusconin, askush nuk i tha: “vazhdo bej humor plako, mos u bej pale me njërin krah dhe mos u merr me këta politikanet, nuk te takon ty, ti je artist”.

Kur Meryl Streep, doli ne foto me Bill Klintonin, askush nuk e paragjykoi, duke i thënë: “qenke me këta ti, mos, po ç’te duhet ty mi gru, ti je artiste”.

Kur Bruce Willis, doli ne krah te George W. Bush, ne fushate per president, askush nuk i tha: “he more Bruce edhe ty te paska kap dëshira për pushtet, rri urte dhe mos u merr me politike, je artist”.
Asnjëherë nuk e kam kuptuar se çfarë duan te thonë shqiptaret me ” je artist”. Çfarë? Janë ndryshe artistet nga mjeket, inxhinieret, juristet; etj? Jo mor te dashur, artistet ndjejnë, perceptojnë njësoj si te gjithë, ndoshta pak me tepër ne imtësi se te tjerët, për shkak te profesionit. Edhe artistet kane bindjet e tyre, edhe sociale edhe politike, pse jo. Artistet jetojnë këtu dhe kur ikin dritat, i ikin edhe artistit.

Kur përmbytet Tirana, përmbytet edhe lagjja e artistit. Kur vidhen me fatura te mbifaturuara dritash, me taksa qe nuk kthehen ne shërbim te qytetarit, vidhet edhe artisti. Nëse rriten çmimet rriten edhe për artistet. Nëse ka super ndotje ne rrugët e qytetit, te njëjtin ajër thith edhe artisti. Nëse qeveria gënjen njerëzit duke i thënë se po rilindim, gënjen edhe artistet. Nëse vendi është një parcele e madhe hashashi dhe nëse njerëzit s’kanë buke te hane, këtë e shikon edhe një artist.

Artisti i shikon te gjitha, por fatkeqësisht, për shkak te natyrës se tij tepër te ndjeshme, ligështohet disa here me shume se te tjerët dhe si rezultat edhe reagimi i tij është disa fish me i ashpër dhe shpërthyes. Ai nuk duron me. Fjala e një artisti ka vlere shume me tepër se e një politikani, deputeti apo ministri injorant qe s’ka bere asgjë gjithë jetën përveç se i ka bere fresk prapanicës se shefit te tij. Nje artist qe reagon është shume here me i vlefshëm se një rilindas, qe hyn ne PS vetëm për te pare nga afër Ramen. Një artist vlen me shume se një i pa shtylle kurrizore, qe aderon ne LSI vetëm se do te shkoje ne Jale kur te vije vera për te gjuajtur ndonjë gjë. Reagimi dhe përfshirja e një artisti vlen mijëra here me shume se disa pseudo demokrate qe i afrohen PD-se, sepse kujtojnë se opozita është gallate.

Misioni jone nuk është vetëm te shkaktojmë te qeshura dhe te marrim duartrokitje, por mendoj se kemi edhe nje detyre sociale shume te rëndësishme. Duhet te flasim, te sensibilizojme, t’i themi gjerat pa frike, ashtu siç i ndjejmë, pa hile dhe sipas bindjeve tona, cilat do qofshin ato. Reagimi i një artisti vlen… vlen shume!

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: