Kryedemokratit Lulzim Basha nuk i mjaftuan tre minuta për tu shprehur në sallën e Kuvendit. Akuzat që merrnin spunto nga rasti i Agron Xhafës, vëllait të ministrit të Brendshëm, por edhe ato për kërcënimin e dëshmitarit X ai i ripërsëriti përmes Facebook-ut, pasi fjala iu pre në mes.

Kreparlametari Gramoz Ruçi u detyrua të ndërpresë dy herë nga 10 minuta seancën e Kuvendit, por Basha dhe deputetët e PD-së e vijuan mini-protestën e së enjteve dhe u larguan vetëm pasi e cilësuan të përmbushur misionin e tyre.

Të gjithë deputetët e PD-së u ngritën në foltore pas Bashës e hapën një banderolë ku shkruhej: “Shqipëria si gjithë Europa. Jo qeverisë së krimit dhe drogës”.

Mesazhi ishte i qartë. Ata ftuan shqiptarët t’i bashkoheshin protestës së 26 Majit për t’i thënë jo asaj që e cilësojnë si “qeveria e krimit dhe drogës”.

Ndërkaq, kryeministri i vendit Edi Rama u fotografua nga LSA-ja teksa vinte duart në kokë. Nuk dimë nëse ishte rastësi, apo shfaqi mërzinë me veprimet e demokratëve.
Rama
Pas këtij momenti si deputetët e PD-së ashtu edhe ata të LSI-së u shpërndanë, por në vend të Bashës, fjalën jashtë Kuvendit e mbajti kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Nuk dihet nëse bëhet fjalë për ndonjë pakt mes tyre, por skema u duk të ishte e tillë, Basha i bëri thirrjet brenda sallës, Kryemadhi jashtë saj. Qëllimi ishte i njëjtë: Sa më shumë shqiptarë duhet t’i bashkoheshin protestës të së shtunës.

Ndërkohë nga ata që mezi kanë duruar brenda parlamentit duket se ishte deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj, i cili sapo ka dalë ka ndezur një cigare. Në lidhje ‘speciale’ me mjekët, duket të jetë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili rrethohet nga dy deputetë me profesion mjekë. Tritan Shehu dhe Flamur Noka nuk i ndahen Berishës, madje ky i fundit kapet në një moment teksa e mban prej krahu ish-kryeministrin.
WhatsApp Image 2018-05-24 at 11.17.40
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: