Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport” bën analizën e eliminimit të “demave” në Ligën e Europës nga Botev Plovdivi, por paraqitjen e ekipit nuk e konsideron dështim. Ai tregon faktorët që ndikuan në paraqitjen e të kuqve në Europë, ku përmend edhe individët që gabuan në dy sfidat me bullgarët.

Starova ka sqaruar edhe të ardhmen e tij te Partizani, si dhe ka rrëfyer planin e Luçiano Moxhit në krye të klubit. Sipas Starovës, Partizani i ri do t’i nënshtrohet një revolucioni dhe çelësat e ekipit presidenti Demi ia ka varur në qafë Moxhit. “Bobi” ka treguar edhe të vërtetën e trajnerit Milinkoviç, si dhe ku ka nevojë ekipi që të përforcohet. Starova edhe në këtë rrëfim ka vijuar me qitjet e tij në distancë, ku nuk kanë munguar edhe kritikat për FSHF-në për vonesën e dhënies së titullit që iu hoq Skënderbeut, si dhe për numrin e lojtarëve të huaj.

(Pjesa e dytë)

Keni thënë se nuk mund të bënit më shumë para ndeshjes së parë me bullgarët, pasi zyrtarisht merkatoja hapet më 1 korrik. Duke ditur këtë gjë, pse nuk i ndaluat largimet e atyre futbollistëve që përmendët më lart dhe që nuk i zëvendësuat dot?
Konkretisht ishte kjo situatë: luftuam shumë për Ekubanin, ku minimalisht kërkuam që të vazhdonte huazimi edhe për Kupat e Europës, por rezultoi e pamundur. Ramë dakord me Torasën në përfundim të kampionatit që do të kthehej për Europën, por në fund nuk u përgjigj për shkak të problemeve të tij familjare në Argjentinë.

Ndërsa Cetkoviçit i kërkuam që t’i rinovonim kontratën. Ai, përveç një rroge shumë të mirë që merrte te Partizani, kërkoi edhe më tepër fillimisht. Më pas gjatë bisedimeve pohoi se do të shkonte të luante në Mal të Zi, pasi kishte kohë që kishte qëndruar larg shtëpisë dhe do ta mbyllte atje karrierën.

Ndërsa për Ramadanin klubi arriti të bëjë mirë, pasi largimi ishte taksativ. Ose do të largohej duke përfituar klubi pjesën e tij dhe lojtari të ecte përpara, ose nuk bëhej më, pasi kishte lidhje me kampionatin danez. Për ardhjet e tjera ishim të qartë, pasi dihej që koha ishte e pamjaftueshme.

Pra, puna e drejtuesve nis tani për transferimet…
Puna e drejtuesve për të ndërtuar skuadrën është gjatë kësaj periudhe pas dy ndeshjeve të Europës. Më 1 gusht ekipi do të nisë përgatitjet për sezonin e ri, ku fillimisht do të kryhen testet fizike dhe mjekësore. Skuadra ka një muaj kohë që të përgatitet për fillimin e kampionatit, ndërsa për drejtuesit kjo periudhë do të shërbejë për të rindërtuar ekipin dhe për ta kthyer në nivele të larta.

Pse keni vendosur që ekipi të pushojë kaq gjatë pas aventurës europiane?
Ekipi ka marrë një pushim të detyrueshëm, pasi pjesa më e madhe e lojtarëve kanë gati dy sezone që nuk pushojnë. Lojtarët do të rrinë dy javë pushim pasiv, nuk u lejohet të bëjnë asnjë aktivitet. Ndërsa pas dy javëve do të nisin me plan individual të detajuar për secilin lojtar. Më pas, ekipi ka 4 javë në dispozicion për të vazhduar përgatitjet dhe lojtarët e rinj që do të vijnë të përshtaten me grupin.

Duke iu referuar asaj që klubi arriti një vit më parë, a mund të themi se me eliminim e tanishëm në Ligën e Europës, që në raundin e parë, u mbyll një cikël te Partizani dhe tani pritet të nisë puna me një program dhe strategji të re?
Duhet të jeni të kujdesshëm në këtë përkufizim. Partizani mbylli sezonin në mënyrë të shkëlqyer dhe unë vazhdoj të them se na e rrëmbyen kampionatin. Ishim skuadra më e mirë. Duke qenë se në Europë u paraqitëm me mungesat e atyre lojtarëve që thamë më herët dhe cilësinë e kundërshtarit, këto ishin arsyet e eliminimit.

Duhet ta kuptojnë të gjithë, edhe tifozët tanë dhe dashamirësit e futbollit shqiptar që fill pas shortit duhej thënë se Partizani ka të bëjë me një kundërshtar të përgatitur, i cili ka mundur në finale të Kupës së Bullgarisë, Ludogoretsin, skuadër që vit për vit merr pjesë në grupet e Kupave të Europës. Plus që kishin marrë edhe tre brazilianë. Pra janë fakte që populli duhet t’i dinte më parë, pasi u trumbetua se Partizani do të luante më skuadër të rangut të ulët dhe ka fitoren të sigurt.

Ne jemi në një kampionat ku edhe media duhet të bëjë punën e saj, pasi populli e mori vesh se kush ishte kundërshtari vetëm pas ndeshjes së parë në Tiranë. Pra, ne u eliminuam nga turi i parë i Ligës së Europës, jo se i patëm mundësitë 100% dhe na mundi një skuadër e dobët. Përveç të metave tona që i rendita, fakti është se u kualifikua skuadra më e plotë dhe e përgatitur.

Ndaj, nuk ka shans që skuadra të denigrohet. Partizani nën drejtimin e Gaz Demit në këto katër sezone ka vetëm ngjitje. Jemi në ngjitje e sipër dhe sigurisht po mundohemi që të vijojmë merkaton. Ishte merita e Partizanit që u dha mundësi shqiptarëve që të shikonin në kampionat një lojtar si Ekubani, një futbollist që e ka perspektivën te Real Madrid.

Ju thoni se do të bëhet merkato. A mund ta dimë se ku do të përqendrohet puna për përforcimin e grupit dhe a do të gjendet zëvendësuesi i Ekubanit?
Kësaj pyetjeje ia dini përgjigjen. Ekipi ka nevojë të përforcohet në të gjitha repartet, duke filluar nga qendra e mbrojtjes ku kemi çaluar gjatë gjithë vitit. Kemi çaluar gjatë gjithë vitit, edhe tek Atanda, Krasniqi e Malota. Edhe në dy ndeshjet e Europës gabuam tek Atanda dhe Krasniqi. Me gjithë anët pozitive që kanë këta lojtarë, duam një prurje të re që ta përforcojë këtë repart. Na duhen afrime edhe në mesfushë dhe në fazën sulmuese.

Ku do t’i gjeni lojtarët, kur dihet se lejohen vetëm katër të huaj në fushë?
Përfitoj nga rasti të them se FSHF bëri mirë që e rriti edhe me një numër pezullimin nga kartonët e verdhë, nga tre në katër. Por duket se federata jonë nuk është e interesuar që klubet shqiptare të ecin larg në Europë. Me katër lojtarë të huaj në ekip, çdo klub shqiptar e ka të vështirë që të shkojë vazhdimisht në grupet e Ligës së Europës. Shikoni kundërshtarët tanë.

Pse ne kemi futboll më të mirë se Bullgaria, që lejon kaq shumë të huaj? Pse kemi më shumë talente ne se Bullgaria? Ne që jemi specialistë futbolli shikojmë vetëm avantazhe te rritja e numrit të futbollistëve të huaj në kampionatin tonë. Qoftë për t’u bërë konkurrencë atyre 10 talenteve që kemi ne, por edhe për t’u rritur çmimin. Të gjitha skuadrat shqiptare kanë vështirësi të mëdha për t’u përforcuar, kryesisht klubet e fuqishme që duan të kenë në përbërje lojtarë cilësorë.

Lojtarët shqiptarë janë me kokrra. Shikoni mbrojtësin e djathtë të Tiranës (Albi Doka), 18 vjeç, që kërkohet të shitet dhe është i vetmi. Drejtuesit e FSHF-së vazhdojnë me kokën e tyre. Unë nuk jam pyetur si trajner se çfarë mendimi kam, ashtu si edhe kolegët e mi nuk janë pyetur për këtë gjë. Kjo është padrejtësi.

Keni thënë se do të dilni në pension te Partizani, por a mund të dimë diçka konkrete rreth së ardhmes? A do të vazhdoni si trajner?
E ardhmja ime, duan apo nuk duan, ata që s’më duan është kjo që është. Jam krenar për gjithçka që kam bërë. Duke qenë në një rol të palëvizshëm si këshilltar i presidentit, m’u kërkua të bëja trajnerin dhe vijova punën. Kemi kërkuar trajner më të mirë se unë dhe kolegët e mi e këtë e kemi treguar me fakte. Kemi afruar trajnerë shumë të mirë, por që edhe ata kanë pasur pengesat e tyre. Kështu që e ardhmja ime është pension me Partizanin sa të jetë Gaz Demi president, pas atij nuk e di çfarë do të ndodhë.

A mund ta dimë se kush do të jetë trajneri i ri i Partizanit?
Për atë pyesni Gaz Demin, nuk e di unë.

Pyetja ka të bëjë se a do të vijojë Starova si trajner, apo pritet të vijë ndonjë tjetër në krye të ekipit?
Aktualisht unë jam trajneri i Partizanit dhe unë marr urdhra në bashkëpunim me presidentin. Nëse ju doni më shumë, pyesni presidentin. Siç e dini, në këto dy vite kemi konkurruar fort për të fituar kampionatin dhe njërin presim që të na e kthejnë, ndërsa tjetrin na e hoqën në sezonin e fundit. Jam krenar që kam bërë një punë me gjithë të mirat dhe të metat e mia. Besoj se kam qenë i përkushtuar për të bërë maksimumin dhe këtë e keni parë në këto dy vite te Partizani në elitë. Këtë e them me qitje të largët.

Më konkretisht, çfarë doni të thoni me këtë?
Ka persona që nuk më shikojnë dot apo që shprehen nëpër portale. Ne jemi të durueshëm. E rëndësishme është që faktori kryesor, që janë grupimi “Ultras Guerrils”, na mbështet, ndonëse kemi qenë të vetëm. Ata e dinë kontributin tim në skuadër në këto dy vite. Ata i bëjnë më mirë llogaritë për ekipin në Kupat e Europës sesa ata opinionistët dhe njerëzit dashakeqës. Ata e dinë shumë mirë se çfarë nevoje ka skuadra.

Po e përmendni shpesh kthimin e titullit të para dy sezoneve. Keni shpresë se ai që Etika i hoqi Skënderbeut, FSHF do t’ia japë Partizanit?
Po më bëni një pyetje kot, gjithsesi bëni mirë që e bëni. Përgjigjja është kjo, e cila vjen në formë pyetjeje: Atë kampionat do ta lënë pa e dhënë?

Presidenti Duka, i pyetur së fundmi për këtë çështje, nuk ka dhënë një përgjigje konkrete…
Pyetjen bëjani atij. Gjithsesi, përmes kësaj interviste dua të pyes: Ai kampionat do të rrijë pa fitues? Kush e përfaqësoi Shqipërinë në sezonin e shkuar në Champions? Për Europën ne ishim kampion, ndaj po presim prej kohësh vendimin e federatës. Nuk e di pse po përpëliten ato, por fakti është ky: ai kampionat e do një fitues.

Besoj se të gjithë e dinë se edhe tek ai titull që presim të na e japin, çfarë kontributi kam dhënë. Llogaritë janë të qarta, sa pikë mora unë si trajner në dy fazat e para dhe sa mori Agostineli në dy fazat e tjera. Rëndësi ka që klubi ka bërë të vetën dhe Partizanit duhet t’i jepet ai titull, pasi një tjetër na e rrëmbyen në sezonin e fundit.

18118887_651618125032587_1733389089283977211_n-470x313
Keni thënë në një intervistë se trajneri Milinkoviç nuk është i duhuri për Partizanin. Pse mendoni kështu?
Jo, nuk është ashtu, e shtrembëruat prapë. Kam thënë se së bashku me presidentin Demi po shqyrtojmë të gjithë trajnerët, qoftë shqiptarë dhe të huaj. Për Milinkoviçin kam thënë se ai ka punuar mirë te Luftëtari dhe për vendimin se vjen apo nuk vjen te Partizani, unë nuk mund të them bisedat që bëj me presidentin, duke analizuar të gjitha mundësitë e mundshme. Po bëjmë maksimumin për të sjellë një trajner edhe më të mirë se ne që jemi.

Deri këtu është hapi im, pastaj vjen apo nuk vjen, atë e ka presidenti në dorë. Nuk është kompetencë e imja që vjen apo nuk vjen Milinkoviçi te Partizani. Kam qenë unë i pari që e kam vlerësuar atë si trajner, siç i kam vlerësuar edhe trajnerët e tjerë që janë lakuar më herët, si Magani, Daja, Josa etj. Nuk e kam në stilin tim që të denigroj njeri.

Çfarë pritet nga Partizani i Luçiano Moxhit, i cili është përgjegjësi i skuadrës së sezonit të ri?
Moxhi është drejtori i Përgjithshëm i klubit. Unë jam këshilltar i presidentit, por edhe trajner aktualisht. Drejtori i Përgjithshëm ka pasur gjithë kohën e përshtatshme dhe prandaj u bë mirë që puna nisi më herët, që ai të njihte ambientin dhe problemet. Ka edhe nga ata që thonë tani që Moxhi të marrë përgjegjësitë. Moxhi erdhi, pa situatën dhe tani ka marrë çelësat nga presidenti Demi për ta ndërtuar klubin që nga administratat e deri poshtë. Ai ka marrë kontakte edhe me tifozët, “Ultras Guerrils”, pasi e di fuqinë e tyre, që janë arma jonë kryesore.

Pra, Moxhi do të vërë pikat mbi “i”, te trajneri, te zv.trajneri, te përgatitësi atletik, te stafi mjekë- sor, te menaxheri i skuadrës, te lojtarët që do të afrohen e me radhë. Për herë të parë do të zbatohet në Shqipëri roli i drejtorit sportiv. E kuptoni se çfarë do të thotë me të var çelësat në qafë presidenti. Pra, “Big Luçiano” është i pari i Partizanit të sezonit të ri./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb