Shumica e goditjeve në tru prekin njerëzit mbi moshën 65 vjeç, por në rreth 10 për qind të rasteve kjo sëmundje prek edhe më të rinjtë, të moshës 45 vjeç. Veçanërisht femrat janë më të rrezikuara. Edhe pse pirja e duhanit, tensioni i lartë i gjakut, kolesteroli dhe diabeti, rrisin mundësinë e sulmit në tru për të dy gjinitë, femrat janë më të prirura ndaj këtij problemi për shkak të shtatzënisë dhe ndryshimeve hormonale.

Pilulat kontraceptive, në disa raste gjithashtu e rrisin rrezikun, kurse ato që vuajnë nga migrena e shoqëruar me simptoma neurologjike, janë gjithashtu në rrezik më të madh. Rreth 80 deri në 90 për qind të rasteve të sulmit në tru ndodh kur mpiksja bllokon furnizimin me gjak dhe oksigjen në tru, kurse mbrojtja më e mirë kundër kësaj është një mënyrë jetese e shëndetshme dhe zbulimi i hershëm i simptomave.

Simptomat e tilla janë si në vijim:


– Dobësi ose mpirje në njërën anë të trupit:
Humbja e papritur e fuqisë apo ndjenja e tillë në gjymtyrë në njërën anë të trupit, shpesh është një shenjë e sulmit në tru. Është e mundur që të qëndrojë e varur njëra anë e fytyrës.

– Problemet me të folurit: Në qoftë se papritmas ju humb zëri ose thjesht nuk mund të thoni asgjë, ajo mund të jetë një shenjë e goditjes në tru. Viktimat e goditjes në tru nganjëherë kanë vështirësi të kuptojnë njerëzit e tjerë. Të gjithëve ndonjëherë na ndodh që nuk mund të kujtojmë ndonjë fjalë ose e shqiptojmë në mënyrë të gabuar, kështu që është mirë që ju të vendosni nëse kjo është diçka serioze ose vetëm një rast individual.

– Dhimbje koke të rënda: Në rastin e sulmit në tru të nxitur nga hemorragjia mund të ndodhin dhimbje koke të rënda. Goditje të tilla ndodhin në vetëm 10 deri në 15 për qind të rasteve, por kanë një normë më të lartë të vdekshmërisë sesa goditjet të shkaktuara nga mungesa e furnizimit me oksigjen dhe gjak në tru.

– Humbja e pjesshme e shikimit: Kur kemi të bëjmë me goditje në tru, problemet me shikim paraqiten vetëm në njërën anë, ashtu sikurse simptomat në gjymtyrë. Më shpesh nuk bëhet fjalë për një humbje të plotë të shikimit, por për problemin e shikimit në njërën anë, gjë e cila nuk shkakton dëme në sy, por në tru, i cili interpreton informacionet që i sheh syri.

– Të gjitha ose disa nga simptomat në të njëjtën kohë: Goditja në tru zakonisht nuk ka vetëm një, por disa nga simptomat e mësipërme dhe kjo është një shenjë e sigurt se është koha për të shkuar në spital. Nëse keni ndonjë problem të pazakontë që ndikon vetëm në njërën anë të trupit, është gjithashtu gjë e mençur për të shkuar në spital.

(vip pages/Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: