PARIS- Shqipëria çon në Paris mesazhin e harmonisë fetare. Një delegacion i kryesuar nga Kryeministri Edi Rama, dy ministra dhe 4 përfaqësuesit e komuniteteve fetare shqiptare: mysliman, ortodoks, katolik, dhe ai i komunitetit bektashian, morën pjesë në marshimin masiv në nderim të viktimave të masakrës ndaj gazetës satirike “Charlie Hebdo”. Marshimi krah për krah i katër përfaqësuesve të komuniteteve fetare shqiptare u përshëndet me duartrokitje nga mijëra njerëz që kishin mbushur sot rrugët e Parisit.

Në një postim në rrjetin social “Twitter”, kryeministri Rama shprehu mirënjohje për katër përfaqësuesit e klerit shqiptar, që siç tha ai, mahnitën sot Parisin dhe e ngritën Shqipërinë në piedestal!”

https://www.youtube.com/watch?v=wZa16B4WVzo&feature=youtu.be

Delegacioni shqiptar zhvilloi homazhe pranë ndërtesës së revistës “Charlie Hebdo”, në nderim të 12 të vrarëve tragjikisht, duke vendosur edhe një kurorë me lule. Në një prononcim për mediat shqiptare, pjesë e delegacionit, Kryeministri u shpreh se ky delegacion ndodhet aty për të dëshmuar se Shqipëria e vëllazërisë fetare është e vendosur të vazhdojë të mbajë lart flamurin e lirive, e të drejtave, dhe të barazisë mes të gjitha opinioneve dhe besimeve fetare.

Më pas, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në pritjen që Presidenti francez Francois Hollande rezervoi për liderët botërorë pjesëmarrës në marshimin solidarizues mbarë botëror kundër terrorizmit.

Më herët, ndërsa udhëtonte drejt Parisit, kryeministri Rama shkroi ndër të tjera në një postim në FB dhe Twitter se “Është koha e një zgjedhjeje të qartë mes urrejtjes përçarëse dhe unitetit për lirinë, barazinë, vëllazërimin. Ky është momenti ynë për t’u përgjigjur në emër të shpresës dhe bashkëpunimit mes njerëzve mbi këto vlera të shkëlqyera e të panegociueshme.”

RAMA: ME PARISIN PËR LIRINË, BARAZINË, VLLAZËRIMIN

Mesazhi i plotë në “Facebook” i Kryeministrit Edi Rama: “Qindramijëra do të marshojnë sot në rrugët e Parisit për të mbështetur vlerat e shkëlqyera të lirisë, barazisë, vëllazërimit – ti mund të jesh me ta atje përmes rrjetit botëror të solidaritetit online. Mbarë bota do të shohë se si njerëzit do të dalin në rrugë në përgjigje të vrasjes barbare të 12 njerëzve të mërkurën e shkuar. Por ndërkohë, ekstremistët e djathtë europianë po mobilizohen gjithashtu në antiprotesta dhe tanimë dy mjedise besimi të muslimanëve janë sulmuar. Kjo është ekzaktësisht çka vrasësit kërkuan: Përçarje dhe Frikë! Sot ne mund t’u tregojmë të gjithë nxitësve të përçarjes e të frikës se qytetarët kudo që janë, mbështesin vlerat e lirisë së shprehjes, barazisë mes njerëzve dhe vëllazërisë mes individëve të çdo besimi.

Me një klikim bëhu edhe ti pjesë e nismës globale për t’u bashkuar në marshimin e botës së lirë, kundër barbarisë së atyre që vrasin në emër të fesë dhe ekstremizmit të kujtdo që kërkon të na përçaje duke kallur frikën mes nesh.

Ky është një ndër ato momente historike kur cilido prej nesh që beson tek toleranca dhe liria e shprehjes mund të ngrejë dorën apo zërin e vet, për të ndaluar që pasojat e dhunës të kërcënojnë të gjitha liritë tona. Sot në Paris do të jenë edhe plot udhëheqës europianë sepse ky moment nuk është vetëm i Francës, po i mbarë Europës.

Shumë prej nesh i kanë konsideruar karikaturat e Charlie Hebdo-së si fyese, raciste apo qëllimisht provokuese. Së bashku me profetin Muhamet, Charlie ka shënjestruar edhe Jezu Krishtin, Papën, emigrantët, çifutët, murgeshat e plot akoma. Por liria e shprehjes është kollaj të mbështetet deri në çastin kur na kërkohet të ngrihemi në këmbë për të mos lejuar shtypjen e shprehjes së lirë që nuk na vjen për shtat. Pikërisht në vlerën e këtij çasti qëndron edhe vlera e pakufishme e lirisë në botën që kemi zgjedhur, botën e lirë. Sot, duke u bërë pjesë e marshimit të Parisit përmes një klikimi, ti ndihmon që ky mesazh themelor për ekzistencën e botës së lirë të përcillet qartë si një mesazh uniteti global.

Është koha e një zgjedhjeje të qartë mes urrejtjes përçarëse dhe unitetit për lirinë, barazinë, vëllazërimin,- përfundon Rama. – Ky është momenti ynë për t’u përgjigjur në emër të shpresës dhe bashkëpunimit mes njerëzve mbi këto vlera të shkëlqyera e të panegociueshme.

Kryeministri Rama ka dhënë një deklaratë në televizionin BFMTV, ku tha se duhet luftuar kundër terrorizmit dhe ne kemi nevojë për një Europë më të fortë për ta arritur këtë.

MASAKRA NE CHARLIE HEBDO

Gazeta satirike “Charlie Hebdo” u sulmua mesditën e së mërkurës nga dy vëllezërit,Cherif Kouachi dhe Said Kouachi. Dhjetë gazetarë dhe dy punonjës policie u ekzekutuan me armë në ambientet e redaksisë së revistës franceze satirike, në Paris. Duke thirrur: “Allahu – Ekber” (Allahu është më i madhi), dy agresorët hynë në ambientet e revistës dhe hapën zjarr, duke vrarë 12 vetë. Dy agresorët, pasi u rrethuan për disa orë nga forca të shumta të policisë franceze, u ekzekutuan. Ata u vranë në një shtypshkronjë, në veri të Parisit, afër aeroportit “Charle de Gaulle”. Pak minuta para se të vriteshin, gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, njëri prej terroristëve i njohur si Cherif Kouachi, i tha një gazetari francez gjatë një interviste telefonike, se sulmi në revistën “Charlie Hebdo” u urdhërua nga Al-Qaeda. Prej së mërkurës, përgjatë 72 orëve, në Francë u regjistruan disa sulme terroriste dhe humbën jetën 17 persona.

(er.nu/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb