TIRANE– Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përuroi sot fushat e reja të futbollit dhe të tenisit për nxënësit e shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë. Falë këtij investimi, rreth 1300 nxënës të kësaj shkolle kanë terrene të reja sportive, të cilat pas mësimit mund të përdoren edhe nga komuniteti i zonës.

Sakaq, ai falënderoi ata që kontribuuan për shtimin e ambienteve sportive në kryeqytet.

“Nëse komuniteti kontribuon që fëmijët të kenë jo vetëm shkolla më të mira, por edhe më shumë mjedise sportive, ku të shoqërizohen, atëherë do të kemi edhe një qytet më të mirë. Më vjen mirë që marsi ka qenë vërtet një pranverë për Tiranën”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë theksoi se ndërtimi i këtyre ambienteve që do t’i shërbejnë edhe komunitetit të zonës, i shtohen këndeve të tjera sportive që ka ndërtuar Bashkia e Tiranës.

“Ky është këndi i 12 sportiv që hapet brenda një viti në shkollat e Tiranës apo në hapësirat rekreative të qytetit. Do të kalojmë më shumë kohë me sport dhe aktivitete fizik, më pak kohë nëpër kafe, nëpër bingo e baste. Megjithatë, dua që t’i ftoj të gjithë qytetarët, që kush ka mundësi të kontribuojë”, tha ai.

Duke e cilësuar marsin që një muaj shumë pozitiv për realizimin e punëve publike, Veliaj theksoi se është e rëndësishme që t’i kushtohet më shumë vëmendje përmirësimit të mjediseve në shërbim të komunitetit.

“Këtë muaj kemi mbjellë me mijëra pemë, duke filluar nga Liqeni i Farkës, te Liqeni Artificial, te Bulevardi i Ri, te sheshi “Skënderbej”. Nëse kalojmë më shumë kohë me gjëra konkrete për fëmijët, siç janë këndet e lodrave, këndet sportive apo mbjelljet e gjelbërimet, dhe më pak kohë me fjalë, me sherre e përçarje, qyteti ecën përpara. Jam i bindur se të gjitha investimet në infrastrukturë nuk vlejnë asgjë në qoftë se nuk kemi kulturë dhe besoj se ky investim është më i rëndësishëm, ndoshta edhe se infrastruktura, sepse krijon një kulturë te djemtë dhe vajzat e qytetit si të luajnë në ekip, si të mësojnë të fitojnë, por edhe të humbasin”, tha ai.

Kreu i bashkisë tha se ky nuk është i vetmi investim ne këtë shkolle pasi shume shpejt do nise rikonstruklsioni i plotë i shkollës “Vasil Shanto”. Madje këtu ai gjeti rastin të shigjetojë dhe politikanët që kujtohen për “Vasil Shanton” vetëm në zgjedhje.

Por, ky nuk do të jetë investimi i vetëm i bashkisë, pasi shumë shpejt do të fillojë edhe rikonstruksioni i plotë i shkollës. Veliaj premtoi se institucioni që ai drejton do të vijojë me investimet edhe te palestra e shkollës “Vasil Shanto”.

“Këtu mbrapa ndodhet palestra e famshme, për të cilën politikanët kujtohen vetëm kur vijnë zgjedhjet dhe numërojnë votat, pastaj e harrojnë. Ne të bashkisë nuk e harrojmë, kështu që do të investojmë edhe për shkollën, edhe për palestrën, që shtatori të na gjejë me një shkollë të rikonstruktuar plotësisht dhe ambientet brenda do të jenë po aq të bukura sa këto janë”, përfundoi Veliaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: