Nga Fatos Çoçoli
Banka e Shqipërisë i tha “stop!” rënies vërtik të euros në Shqipëri, apo forcimit artificial të lekut në raport me euron. Shpesh ajo ndërhyn në mënyrë rutinë(normale) në treg, si bankë qendrore, dhe blen, për të rritur rezervën e saj në monedhë të huaj(zakonisht në euro) Kësaj radhe nuk ndërhyri për këtë. Dhe e bëri publike këtë veprim të veçantë të saj.

Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë qetësoi kompanitë e mëdha që veprojnë në tregun tonë me euro, madje të gjithë vepruesit e tjerë të vegjël dhe gjithë shqiptarët, si individë, që mbajnë depozitat apo kursimet e tyre nëpër banka në euro, apo qoftë edhe jashtë bankave. Ndërhyrja erdhi në kohën e duhur për shumë arsye. Së pari, rënia e fortë e euros në Shqipëri po rrezikonte të merrte përmasa shqetësuese dhe një përshpejtim emocional.

Kompanitë e mëdha ishin përgatitur të përballonin edhe një euro që të këmbehej në nivel rekord të ulët me një mijë e dyqind lekë të vjetra. Efekti ortek, zinxhir ose “domino”, le ta quajmë si të duam, që do të prodhohej mund ta forconte në nivele të paimagjinueshme lekun. Me dëme të jashtëzakonshme për ekonominë e vendit. Edhe pse në pamje të parë, duket sikur fitojmë më shumë nga sa humbasim, me këtë euro kaq të dobët në Shqipëri. Fitojmë, pse blejmë mallra pak më shumë, ngaqë rrogat i marrim në lekë. Fitojmë, sepse nëse rëndom kemi marrë kredi nga bankat në euro, këstet i paguajmë pak më pak, ngaqë sërish kthejmë lekët e rrogës, në euro, për të paguar bankat.

Dëmet kanë të bëjnë me një inflacion gati në zero, me eksporte drejt rrënimit dhe me probleme sociale për ato dhjetëra mijëra familje që jetojnë vetëm nga eurot e sjella nga emigrantët. Sërish, tek inflacioni zero, shumë mund të thonë: ”Po mirë, ç’të keqe na gjeti se çmimet nuk rriten? Aq më mirë!”. Por në ekonomi nuk është kështu. Jo gjithnjë në ekonomi dy dhe dy bëjnë katër. Çfarë është mirë në inflacion zero apo edhe deflacion(rasti kur ka ulje çmimesh si mesatare) për familjet me të ardhura të pakta ose të varfra, është shumë keq, gati katastrofë për ekonominë në tërësi, pse sinjalet që marrin prodhuesit janë shkurajuese dhe ata detyrohen të punojnë nën kapacitet.

Nis kështu rënia e fortë ekonomike, humbja e mijëra dhe dhjetëra mijëra vendeve të punës, me pasoja katastrofike për të gjithë. Për të evituar të gjitha këto arsye apo rreziqe, ndërhyn një bankë qendrore në mbrojtje të një inflacioni të vogël (2-4 përqind), por të “shëndetshëm” për ekonominë. Për këto arsye ndërhyri edhe banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë. Mos duhej të kishte ndërhyrë pak më përpara? Duhet te themi se kësaj radhe na shpëtoi mosbesimi ynë karakteristik te monedha jonë, leku. Edhe me një euro 11 përqind të zhvlerësuar në më pak se dy vjet, në raport me lekun, askush nuk rendi të kthejë eurot e tij në lekë.

Në momentin kur disa syresh prej nesh nisëm të shohim me shqetësim të rritur se si eurot në duart tona po peshonin gjithnjë e më pak në raport me lekun dhe këto euro nisën të na digjnin ndër duar, pra në këtë moment psikologjik dhe emocional të krijuar, ndërhyri dhe Banka e Shqipërisë. Menjëherë, në 24 orë, euro shkoi në Shqipëri në një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë lekë të vjetra. Që do të thotë se lëvizja pati sukses. Guvernatori i bankës sonë qendrore deklaroi se janë gati të blejnë sërish euro në treg, pra të ndërhyjnë prapë, po ta kërkojë nevoja.

Kjo është ajo garanci që mungonte në treg. Tani zotëruesit e eurove janë më pak të shqetësuar. A pati kosto kjo ndërhyrje. Sigurisht që ka koston e saj. Por është qindra fish më e ulët kjo kosto, edhe nëse Banka e Shqipërisë do të blejë prapë euro vetëm për këtë punë, sesa po të niste kiameti dhe euro të zbriste me vërtik drejt një mijë lekë një euro! Lind pyetja një milionë dollarë(apo euro).

A është ky “stop!” i rënies së euros i përkohshëm dhe fluksi i eurove nga emigrantët, kosovarët dhe turistët e shumtë aziatikë e evropianolindorë që po na vijnë do ta ulë prapë euron në Shqipëri? Banka jonë qendrore duket se na ka siguruar se do të ndërhyjë prapë dhe se pragu një euro një mijë e dyqind e dyzet lekë nuk do të kalohet për nga poshtë. Le të shpresojmë. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb