NGA: OLA MITRE
Rreth 13 për qind e shqiptarëve janë të prekur nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike, që ndryshe njihet si SPOK, ndërkohë që virozat dhe gripi, që janë karakteristikë e kësaj periudhe të vitit, rëndojnë mjaft shëndetin e këtyre pacientëve”. Gjithçka bëhet me dije nga shefja e Shërbimit të Pneumologjisë, pranë Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, Silvana Bala, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për suplementin “Life Pages” të “Gazeta Shqiptare”, shpjegon në detaje sesi mund të ruhen këta pacientë gjatë stinës së ftohtë. Gjithashtu, ajo jep një sërë këshillash për të evituar prekjen nga kjo sëmundje, duke e vënë theksin te mospirja e duhanit. Sipas Balës, pirja e mbi 10 cigareve në ditë, për një periudhë mbi 10-vjeçare, rrit ndjeshëm rrezikun për t’u prekur nga kjo patologji e rrugëve të frymëmarrjes.

Doktoreshë, çfarë është sëmundja e SPOK-ut?
Sëmundja e SPOK-ut përkthehet si një sëmundje kronike obstruktive e mushkërive që ka të bëjë me një sëmundje kronike të rrugëve ajrore. Është një nga sëmundjet më invalidizuese dhe që ka një impakt shumë të madh, qoftë të kostos për spitalin, qoftë për shtetin, për faktin se pacientët duhet të marrin një mjekim të vazhdueshëm, gjë që subvencionohet nga shteti.

Cilët janë personat më të predispozuar për t’u prekur nga kjo sëmundje?
Grupi më i madh i pacientëve, në anamnezën e tyre kanë duhanpirjen kronike me një numër të lartë cigaresh dhe me një duhan të pakontrolluar. Në shkaqet e tjera radhiten: puna me orare të gjata në ambiente të ndotura me pluhura dhe kimikate si dhe infeksionet e rrugëve respiratore të përsëritura, të pavlerësuara, të pamjekuara në mënyrë kronike. Gjithashtu është edhe mënyra sesi është rritur dhe zhvilluar bebja në barkun e nënës. Pra, është një bebe që ka lindur nga një nënë duhanpirëse dhe që ka një keqformim të rrugëve ajrore apo një bebe që ka pasur vuajtje fetale nga ushqimi me oksigjen si rezultat i një nëne që ka konsumuar duhan për një kohë të gjatë. Po ashtu, mund të jetë sëmundje e trashëgueshme, që lidhet me deficitin e një enzime që është Alpha 1 Antitripsina, e cila sintetizohet në mëlçi dhe rrugët ajrore. Ju thatë që duhet pirë një sasi e madhe duhani në mënyrë që të jemi të rrezikuar nga prekja e SPOK-ut.

Sa është kjo sasi?
Një duhanpirës problematik konsiderohet kur pi mbi 10 cigare e që mund të quhet pirës i mesëm, ndërsa mbi 20 cigare është duhanpirës i madh.

Cilat janë moshat që preken më shpesh?
Moshat ndryshojnë në varësi të faktorit etiologjik. Në qoftë se do të kemi një deficit të Alpha 1 Antitripsinës, që në fëmijërinë e hershme pacienti do të shfaqë infeksione të përsëritura të rrugëve ajrore, të cilat në vite të njëpasnjëshme do të fillojnë të kufizojnë funksionin e mushkërisë te pacienti. Ndërsa, për një duhanpirës, për të vendosur SPOK-un, pacienti duhet të konsumojë mbi 10 vite duhan. Pra ka të bëjë koha e ekspozimit, qoftë në ambientet e ndotura të punës, qoftë dhe e vesit të duhanpirjes.

Cilat janë disa nga shenjat e kësaj sëmundjeje? Pra, kur një person duhet të mendojë që është i prekur nga SPOK-u?
Normalisht sëmundjet e rrugëve ajrore pak a shumë kanë shenja të ngjashme. Simptomat kryesore janë kolla e shoqëruar me gëlbazë dhe vështirësia në frymëmarrje. Asnjëherë pacienti nuk e vlerëson kollën dhe shoqërimin e kollës me gëlbazë. Gjithmonë ia atribuojnë duhanit ose ambientit të punës dhe mendon se vuan nga një bronkit. Prandaj, më përpara ne i diagnostikonim vonë këta pacientë. Por, me sensibilizimin dhe fushatat depistuese bëjmë diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundjeje. Pacientët, në qoftë se nuk kanë shkuar te mjeku dhe nuk e kanë vlerësuar, vijnë te mjeku kur shfaqin pamjaftueshmëri në frymëmarrje, e cila është e shkallëve të ndryshme. Ka pasur raste që kanë ardhur në stadin e katërt të SPOK-ut dhe normalisht kanë qenë për herë të parë që janë paraqitur te mjeku. Këta janë pacientë fatkeqë për faktin se kufizimi i funksionit respirator të tyre është në stadet përfundimtare, dhe këta pacientë, krahas kufizimit të funksionit respirator, instalojnë dhe insuficienca respiratore, duke u bërë jo vetëm të lidhur nga terapia farmakologjike, por edhe nga ajo e oksigjenit.

Sa e rëndësishme është që kjo sëmundje të kapet në fazat e hershme?
Kapja e SPOK-ut në stadin e parë dhe të dytë është fatmirësisht e rikuperueshme. Dikur konsiderohej si një sëmundje kronike e parikthyeshme. Sot ky koncept ka ndryshuar. Një pacient mund ta rikuperojë funksionin e tij respirator, në qoftë se e kapim në stadin e parë dhe të dytë. Stadi i tretë, i cili normalisht nëse bën më shumë se 3 riakutizime gjatë vitit, konsiderohet si një pacient i cili po shkon drejt varësisë së oksigjenit.

Sa është numri i përgjithshëm i të prekurve dhe si ka qenë tendenca e të prekurve nga kjo sëmundje në vite?
Trendi i shtrimeve në spitalin tonë shkon rreth 600-700 të sëmurë në vit. Këtu duhen përfshirë edhe të sëmurë që janë diagnostikuar dhe vijnë me riakutizime. Është një sëmundje, që nga viti në vit ka një rritje, jo vetëm të numrit të meshkujve, por edhe të femrave. Kjo për faktin se në 15-vjeçarin e fundit ka qenë trendi i pirjes së duhanit edhe nga femrat. Prandaj, moshat që kanë si faktor etiologjik duhanin dhe ndotjen e ambientit janë mosha që ne i kapim pas moshës 40 vjeç. Trendi vjen në rritje, qoftë falë fushatave depistuese, qoftë kjo falë sensibilizimit që i është bërë mjekut të familjes, shpërndarjes nëpër ambulanca dhe dispanserive të rretheve të aparatit të spirometrisë, që bën diagnostikimin dhe përcaktimin e stadeve të SPOK-ut. Është bërë një studim nga Shoqata e Pneumologëve të Shqipërisë dhe asaj Evropiane të Sëmundjeve Respiratore, sipas të cilit në vendin tonë janë të prekur nga SPOK-u 12.4%-13% e popullsisë. Ndërkaq, për punonjësit e Metalurgjisë së Elbasanit, në një studim të realizuar prej meje dhe që zgjati 5 vite ka rezultuar që SPOK-u në reparte të ndryshme varionte nga 19-25%.

Meqenëse vendi ynë është prekur nga epidemia e gripit dhe tashmë janë shënuar 4 viktima, të cilët paralelisht me sëmundjen e SPOK-ut kanë rezultuar edhe me status gripalis, çfarë duhet të kenë parasysh këta persona në mënyrë që të evitojnë prekjen nga virozat?
Pacientët me SPOK preken shumë nga gripi, virozat dhe shkaktari bakterial që është hemofilus influence, duke bërë dhe riakutizime. Është një situatë që normalisht i rëndon nga ana klinike këta pacientë për faktin se, plus vuajtjes respiratore që kanë, vendosja e një viroze i shton simptomat. Pra rritja e sasisë së pështymës, rritja e inflamacionit në rrugët e frymëmarrjes që tashmë janë të sëmura bëjnë që këta pacientë të dekompensohen edhe më shumë nga ana e funksionit respirator. Si rezultat i kësaj, kontingjenti më i madh i këtyre pacientëve është në periudhat e dimrit. Ka shumë raste të pacientëve me SPOK në stadin e 4-t që mbivendosja e një viroze shoqërohet me komplikacion shumë të rëndë që mund të jetë një pneumoni. Vendosja e një pneumonie, e cila e kufizon akoma më shumë nivelin e oksigjenit në gjak dhe funksionin respirator, i çon këta pacientë drejt fatalitetit. Ne kontingjentin më të madh të humbjeve të jetëve në periudhën e dimrit e kemi në pacientët me SPOK në stadin e 4-t, por që bëjnë viroza dhe komplikacione të rënda të gripit.

Si mund të ruhen ata, në mënyrë që të mos preken nga virozat dhe gripi?
E para është menaxhimi që duhet t’u bëjmë këtyre pacientëve në profilaksinë e tyre. Këtyre pacientëve iu rekomandohet që çdo vit të bëjnë vaksinën e gripit. Është edhe një vaksinë tjetër që është antipneumokok, e cila bëhet një herë në gjithë jetën dhe lë imunitet të përhershëm, që është prevenari. Sot po bëhet përpjekje që edhe kjo vaksinë të rimbursohet nga shteti meqenëse ka një vlerë monetare paksa të lartë dhe këta pacientë nuk arrijnë dot që ta marrin. E dyta është marrja në mënyrë korrekte e mjekimit farmakologjik që iu bëhet këtyre pacientëve. Këtu kam parasysh pompat, divaizerat që duhet t’i marrin në mënyrë të përditshme, pasi japin një rritje të përqindjes të funksionit respirator. Tjetër është evitimi i vendeve të populluara ku ka qarkullim virozash. Këta pacientë duhet të dalin sa më pak, të qëndrojnë brenda në kohën e ftohtë, sepse i ftohti i sivjetshëm ishte një nga shkaqet kryesore që bëri këtë përhapje të gripit. Normalisht temperaturat e ulëta dhe lagështira bëjnë dëmtim të sistemit mbrojtës të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Këta të sëmurë, këtë gjë e kanë të humbur për vetë infeksionet kronike që kalojnë. Ndaj janë të predispozuar për t’u prekur nga gjithë virozat e mundshme. Kur këta pacientë bëjnë riakutizim, i cili shfaqet me rëndim të simptomave: temperaturë, kollë, gëlbazë, e cila fillon të ngjyroset në të verdhë, gri dhe me rrema gjaku, atëherë tek ata duhet të jepet në mënyrë të komanduar mjekimi me antibiotikë.

Meqenëse një nga masat që ju rekomanduat është vaksinimi, a është e këshillueshme që këta persona të vaksinohen në këtë periudhë?
Vaksina bëhet në çdo kohë. E mira është t’u paraprijë situatave të ardhjes së një klime të ftohtë dhe virozave që normalisht qarkullojnë në klimën e ftohtë. Aq më tepër që virusi që ka qarkulluar sivjet (AH3N2), që ka pësuar mutacione, është një virus që simptomat respiratore i bën më të rënda sesa virozat e tjera. Ata që nuk janë vaksinuar, duhet të vaksinohen patjetër, por jashtë periudhës kur janë me temperaturë dhe simptoma të virozave apo gripit.

Pra, kur ata e konsiderojnë veten të qetë duhet të bëjnë vaksinën e gripit. SPOK-u si sëmundje, jashtë statusit gripalis është fatal?
SPOK-u është një sëmundje komplekse pasi nuk prek vetëm rrugët respiratore, por prek sistemin endokrin, sepse këta pacientë mjekohen me kortizon dhe pompat e tyre kanë kortizon. Është një sëmundje e cila tkurr muskulaturën dhe kjo ul funksionin pompë të mushkërive. Po ashtu, është një sëmundje që prek sistemin nervor për shkak të rritjes së dioksidit të karbonit që kanë këta pacientë në gjak dhe është një sëmundje që shkakton osteoporozë nga marrja e kortizonit. Pra, është një sëmundje komplekse dhe një të sëmurë me SPOK në stadin e 4-t jo vetëm gripi e rëndon, por ai është i prekshëm nga shumë komplikacione. Pra një spokist në stadet e avancuara nuk vdes vetëm nga gripi; gripi është një nga mundësitë madhore, që me komplikacionet e tij i shkurton jetën.

Një këshillë të fundit?
Nëse ka spokist që nuk e ka lënë duhanin, duhet ta lërë menjëherë sepse ose do të zgjedhë jetën, ose do të zgjedhë duhanin. Në qoftë se ai pacient mendon se merr mjekimin me pompa dhe vazhdon të pijë duhanin, mjekimin e bën kot. Nga ana tjetër, është menaxhimi që do t’u bëhet ambienteve të punës nga strukturat shtetërore, pra përdorimi i maskave në ambiente me pluhura, ajrimi i sektorëve që konsiderohen të ndotur, evitimi i të gjitha makinave me karburante të cilësisë së dobët, sepse edhe ndotja e ambientit të jashtëm bëhet një faktor. Fillimisht jo për SPOK-un, por për fillimin e lindjes së një astme, e cila nëse nuk mjekohet në vite shkon drejt SPOK-ut.
(Life Pages/Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: