TIRANE- Saimir Zalli, babai i dy fëmijëve, ka kërcënuar me vetëvrasje disa ditë më parë, pasi kishte hipur në një lartësi të konsiderueshme, në një vinç pas Pallatit të Kulturës në kryeqytet. Shkak për këtë veprim ekstrem të tij, është bërë pengesa që i bëhet atij nga familjarët e ish-gruas, të cilët nuk e lejojnë që të takojë dy vajzat e tij.

Në emisionin “Me zemër të hapur” në “News24”, 35-vjeçari nga Lezha tregon historinë e trishtë të jetës së tij. Ai rrëfen sesi është njohur me ish-bashkëshorten e tij 10 vite më parë. Duke qenë se në atë kohë vajza nuk i kishte bërë as 17 vjeç, ata u detyruan të martohen pa lejen e prindërve.

Por kjo gjë nuk u pranua asnjëherë nga prindërit e vajzës. Zalli thotë se fillimisht martesa e tyre ishte e lumtur, por më pas kanë ndërhyrë nëna dhe motra e ish-gruas, duke bërë që të nisnin edhe konfliktet.

Pas kësaj situatë, prindërit e dy vajzave janë divorcuar.

Saimir Zalli ka treguar shkaqet që e detyruan të hipë në vinçin në mes të Tiranës.

“Sa u ktheva nga zyra e përmbarimit, pashë vinçin dhe shkova. Nuk pashë rrugëzgjidhje tjetër. Ç’kuptim ka jeta ime pa fëmijët.

Dy vajza 9 dhe 8 vjeç. Përmbaruesja dhe psikologja hynë brenda për të folur me vajzat, ndërsa mua më lanë jashtë me dy inspektorë të zonës. Vajza e madhe më është larguar. E kanë “fryrë” kundër meje”, tregon Saimir Zalli.

Ai thotë se dy vite pas divorcit, ish-gruaja e tij pësoi një aksident rrugor. Por në një tjetër aksident të dytë, dëmtimet që ajo pësoi ishin të mëdha, dhe sot është e paralizuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: