TIRANE– Policia e Tiranës ka arrestuar një nga dy personat që “terrorizuan” banorët e kryeqytetit mbrëmjen e së premtes, ndërsa personi tjetër vijon të jetë në kërkim. I arrestuari është Bruno Lezhja, 27 vjeç, i dënuar më parë, kurse në kërkim vijon të jetë vëllai i tij, Kataldo Lezhja, 24 vjeç, me precedentë të mëparshëm penalë, i cili njihet si mik i të “fortit” të “Myslym Shyrit”, Gjergj Cukali, i arrestuar pak muaj më parë në një operacion antidrogë.

NGJARJA
Fillimisht, ka qenë një telefonatë në numrin e emergjencave 112 që ka njoftuar uniformat blu se dy persona me një makinë tip “Alfa Romeo” po lëviznin të armatosur. Policia u vu menjëherë në lëvizje për kapjen e këtij mjeti rreth orës 14:30, ndërsa rreth orës 20:30 u konstatua nga shërbimet “Shqiponja”.

Dy të rinjtë nuk i janë bindur urdhrit të tyre për të ndaluar dhe duke përfituar nga mbyllja e semaforit kanë braktisur mjetin në trafikndarëse dhe janë larguar. Menjëherë u bë identifikimi i personave që lëviznin me këtë makinë dhe pak minuta më vonë u bë edhe kapja e 27-vjeçarit.

Policia bën me dije se ka arrestuar në flagrancë shtetasin me iniciale B.L., 27 vjeç (i dënuar më parë). Po ashtu, pas hetimeve u referuan materialet në prokurori për shtetasin Kataldo Lezhja, 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën e “Barrikadave”, duke drejtuar mjetin tip “Alfa Romeo”, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar, duke braktisur mjetin.

Policia ka njoftuar më tej se gjatë kontrollit të ushtruar në makinë u gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një qese me 1.4 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë dhe B.L. iu gjet e sekuestrua me cilësinë e provës materiale 2 boçe bimë narkotike e llojit kanabis sativa. Policia ka thënë se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti që u gjet i hapur dhe i braktisur pranë trafikndarëses.

Ndërkohë, ka pasur raportime se personat mbanin armë në makinë,por në automjet është gjetur vetëm lëndë narkotike.

Në lidhje me këtë ngjarje, policia bëri hetimet e nevojshme dhe identifikoi dy personat që ndodheshin në automjet.

Ata mësohet se kanë qenë Kataldo Lezhja dhe i afërmi i tij, shtetasi me iniciale B.L. I shpalluri në kërkim Kataldo Lezhja, i cili e përdorte makinën e braktisur te trafikndarësja, ka qenë i shpallur në kërkim edhe më herët dhe disa herë është dënuar për vjedhje dhe plagosje.

Vetëm për konflikte në lidhje me parkimin, Lezhja është arrestuar 3 herë nga policia.

KUSH ESHTE KATALDO LEZHJA
Kataldo Lezhja nuk është një emër i panjohur për policinë e kryeqytetit, pasi ka qenë i dënuar disa herë për plagosje dhe vjedhje. Në vitin 2012, ai së bashku me Cukalin u arrestuan për një ngjarje të kryer në bashkëpunim, pranë “Shkollës së Baletit”. Ata kërcënuan me armë dhe goditën punonjësin e një firme private, pas sherrit për vendin e parkimit. Po për të njëjtën arsye, Kataldo Lezhja ishte shpallur në kërkim në dhjetor 2013, dhe u arrestua pak javë më vonë, pasi kishte goditur me thikë një 25-vjeçar.

Ndërsa, në 2015-ën ai u arrestua, pasi plagosi dy të rinj në rrugën “Mujo Ulqinaku”, pasi i kishin zënë parkingun.

Burime të sigurta të policisë thanë dje për “GSH”, se janë duke hetuar pistën se dy vëllezërit mund të kenë qenë bashkëpunëtorë me Gjergj Cukalin, në shpërndarjen e kokainës në disa zona të ndryshme të Tiranës. Dy vëllezërit akuzohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Kanosja”.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb