Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përsëriti zotimin e tij për të çuar në referendum marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Thaçi tha se marrëveshja për normalizim dhe pajtim të plotë duhet të aprovohet nga vullneti qytetar dhe se nuk mund të jetë peng i një individi apo dy invidësh.

Presidenti tha se Kosova po paguan çmimin e mosliberalizimit të vizave për shkak të kryeneçësisë së 2-3 deputetëve të Kuvendit.

“Jam në favor të organizimit të një referendumi pas përmbylljes së marrëveshjes. Për arsye se mendoj se vetë qytetarët duhet të thonë fjalën e tyre për aktin final të marrëveshjes mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Jam i bindur se ajo përgjigje do të jetë shumë më e përgjegjshme sesa e Kuvendit të Kosovës. Nuk jam që një marrëveshje që çon vendin përpara, që hap një prespektivë të sigurt euroatlantike, një marrëveshje që mund të jetë përfundimtare në raportin Kosovë-Serbi, mund të jetë historike” – tha Thaçi.

Le ta vulosin vetë me vullnetin e vet qytetarët dhe të mos mbetet peng i një individi ose dy individësh. Sot Kosova paguan çmimin e mosliberalizimit të vizave për shkak të kryeneçësisë së 2-3 deputetëve, kjo është e vërtetë. Prandaj duhet të dalim përtej parlamentit.Do ulemi të diskutojmë, do të ndërtojmë platfotmën, do ketë dhe ekipe strategjike, do të integrohemi të gjithë, do të punojmë, do të ketë transparencë maksimale, për këtë arsye kam kërkuar që të jenë të gjithë të përfshirë.

I pyetur nëse referendumi për marrëveshjenmund të përbëjë precedent për çështje të tjera, si bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, Thaçi pati këtë koment:

“Lidhur me rreziqet për referendume të tjera, jemi shumë të vetëdijshëm. Ka mundësi që përmes një ligji të veçantë të dërgohet dhe në Gjykatë Kushtetuese, të fitojmë të drejtën e referendumit për çështje të caktuar, vetëm për marrëveshjen, jo për gjërat e tjera”- tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: