Trajneri i Laçit, Stavri Nica, në përfundim të takimit të humbur kundër Luftëtarit me rezultatin 0-1 është shprehur se gaboi duke futur në lojë lojtarë që i çorientuan ekipin. Për “super sport” numri 1 i kurbinasve nuk nguroi të pohonte se futbolli shqiptar ka probleme me të mëdha sa i përket organizimit në fushë si dhe shpërqendrimit.
Nica gjithashtu iu bën thirrje lojtarëve që të jenë të përqendruar në profesionalizmin e tyre.

Për mënyrën se si erdhi humbja

“Sigurisht që futbolli ka parimet, ligjet e veta dhe siç u tha, një kundërsulm na bëri që të pësojmë gol dhe ajo që më çuditi ishte se gabova me futjen e Jonuzit. Ai ishte i pari që çorientoi skuadrën, doli nga detyrat. Gjithmonë duhet të ruhen detyrat, por me skuadrën e re që kemi janë momente që i pësojmë.

Por nuk i falët lojtarëve si Nika që është me përvojë që nuk tregoi formë dhe nuk shënoi që të nxirrte ekipin nga ngërçi. Ka shumë punë për të bërë, ky është futbolli, duhet edhe të mërzitemi, edhe të gëzohemi, të vazhdojmë punën”.

Për ndërrimet e tij dhe lojën pa sulmues

“Sigurisht edhe ne gabojmë, mundohemi për mirë. Nuk është ky problemi, është shtyrja e skuadrës, të shkelësh parimet e futbollit është gabim i madh, nuk paragjykoj lojtarët por veten, se zakonisht nuk më ndodh. Ndodhi edhe kjo, por mendoj se një skuadër pa sulmues, si luajtëm edhe me Partizanin, edhe sot, nuk mund të funksionojë. Nuk ke alternativa, nuk ke çfarë të bësh, pret kundërsulme, ka shumë vështirësi pa asnjë sulmues tipik”.

Për mungesat e rëndësishme në radhët e skuadrës

“Edhe sulmuesin që erdhi, edhe atë nuk e kemi në gjendje, se na ka ardhur i dëmtuar. Kemi probleme por gjatë rrugës do të rikuperojmë dhe mendojmë që të jemi më sulmues, më afër golit, se po nuk qe nuk e ke shumë të lehtë të marrësh pikë”.

Për luhatjet e skuadrës

“Rruga është e gjatë, do të ketë oshilacione. Më mirë që ndodhi në shtëpi, që lojtarët të jenë me këmbë në tokë, t’i përkushtohen futbollit, të mos kalojnë në eufori se janë në prag amatorizmi. Nuk është se kemi skuadra në përgjithësi që janë profesioniste përveç Skënderbeut, Partizanit e deri diku Kukësit. Të tjerat janë me rrugë të gjatë me makina, regjimi është me pikëpyetje, ka shumë punë për të bërë skuadër profesionale.

Lojtarët po lëshuan pak nga regjimi personal, që të abuzojnë dhe kjo është kryesorja që ndikon te lodhja në ndeshje. Ky është një problem shumë i madh, pashë edhe kundërshtarin që megjithëse fitoi kishte shenja loje, u përqendrua të rastësia, nuk shoh profesionalizëm te ata, si edhe te ne, kemi shumë probleme”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb