TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot masën e arrestit me burg për ish-kreun e Bashkisë Peshkopi, Shukri Xhelilin, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv” në formën e kërkimit të favoreve seksuale ndaj shtetases A.A., në këmbim të emërimit në një vend pune në strukturat e varësisë së Bashkisë Dibër.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura por sipas burimeve mësohet se prokurori i çështjes kërkoi që ish-kryebashkiaku të qëndrojë në burg. Mësohet se ish-kryetari i bashkisë Peshkopi dhe avokati i tij Ferdinand Doja kanë pretenduar se nuk është konsumuar vepra penale e korrupsionit siç akuzohet nga prokuroria.

56-vjeçari Shukri Xhelili, është lënë në “arrest me burg” edhe nga Gjykata e Rrethit Dibër. Ai u denoncua një javë më parë nga një 20- vjeçare, e cila e kishte regjistruar atë duke i kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune.

Të pranishëm pranë gjykatës së krimeve të rënda për të mësuar vendimin kanë qene bashkëshortja e Xhelilit dhe njëri nga djemtë e tij. Pas përfundimit të seancës, avokati i ish-kryebashkiakut deklaroi se nuk ka asnjë prove ligjore dhe se bëhet fjalë vetëm për një USB që ka depozituar 20-vjeçarja dhe se ne atë USB mund të bëhen edhe manipulime.

Doja u shpreh se Gjykata e Lartë ka dhënë më shumë se një vendim në lidhje me këto regjistrime që siç i quajti ai janë të pavlefshme si prova. Ndërkaq i pyetur nëse ish-kryebashkiaku i Peshkopisë do ta ankimojë vendimin për shkarkimin nga puna, avokati tha se kjo është një e drejtë ekskluzive e klientit të tij dhe se nëse ai e kërkon do ta ankimojë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: