BEOGRAD- Aleksandar Vuçiç, është betuar sot në Kuvend, për mandatin e tij si President i ri i Serbisë, detyrë që do ta ushtrojë për 5 vite. Ai është betuar mbi Kushtetutën e Serbisë dhe ligjeve përkatëse, ndërsa nuk harroi që të lëshonte dhe një ‘bombë’ sa i takon faktit se sipas tij Kosova është territori i Serbisë.

Duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Serbisë pas betimit që bëri në cilësinë e presidentit, Vuçiç u shpreh se dëshiron përmirësimin e marrëdhënieve në rajon dhe paralajmëroi se do të ndërmarrë një ekspeditë në rajon “në kërkim të shansit të ri”.

Vuçiç u betua me këtë tekst: “Betohem se të gjitha forcat e mia do t’ia kushtoj ruajtjes së sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Republikës së Serbisë, përfshirë edhe Kosovën e Metohinë si pjesë përbërëse të saj, si dhe realizimit të të drejtave e lirive njerëzore dhe të minoriteteve, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe të ligjeve, ruajtjes së paqes dhe të mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Serbisë dhe se me ndërgjegje e përgjegjësi do të përmbushi të gjitha detyrimet e mia”. Presidentin e ri e ka uruar paraardhësi i tij, Tomislav Nikoliç, duke i uruar suksese gjatë viteve sa do të jetë në krye të shtetit.

Fitorja e tij në zgjedhjet e 2 prillit erdhi gati një vit pasi, Partia Progesive Serbe, që udhëhiqet nga Vuçiç, i fitoi zgjedhjet parlamentare. Vuçiç ka forcuar kontrollin e tij në pushtet dhe ai e konsideron veten reformator në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Disa kritikë kanë paralajmëruar se kontrolli i Partisë Progresive Serbe mbi tërë fuqinë legjislative dhe qeverisëse mund të shtyjë Serbinë drejt një autokracie.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb