Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Ymeri: Beogradi kërcënoi politikanët dhe votuesit serbë të Kosovës

visar ymeri

PRISHTINE- Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, deklaroi se në zgjedhjet e 11 qershorit, vullneti i votuesve serbë të Kosovës është deformuar përmes presionit nga strukturat e Serbisë dhe Lista Serbe.

Me anë të një statusi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut, Ymeri tha se gjatë heshtjes zgjedhore, madje edhe në ditën e zgjedhjeve, nëpër programet e ndryshme të kanaleve televizive të Serbisë, që ndiqen masivisht nga serbët në Kosovë, janë ftuar hapur serbët që të votojnë për Listën Serbe.

MESAZHI I YMERIT:
Në zgjedhjet e 11 qershorit, vullneti i votuesve serbë të Republikës së Kosovës është deformuar përmes presionit nga strukturat e Serbisë dhe Lista Serbe. Fillimisht kjo është bërë mbi partitë tjera lokale serbe, duke detyruar që të tërhiqen nga gara, siç ishte rasti me një parti, e cila ka tërhequr listën e kandidatëve nga zgjedhjet pas presionit nga Beogradi. Ndërkaq, Partia Liberale e drejtuar nga Sllobodan Petroviq nuk kishte bërë fare fushatë parazgjedhore, si pasojë e kërcënimit të hapur nga Lista Serbe mbi mbështetësit e tij se do të largohen nga puna. Edhe gjatë heshtjes zgjedhore, madje edhe në ditën e zgjedhjeve, nëpër programet e ndryshme të kanaleve televizive të Serbisë që ndiqen masivisht nga serbët në Kosovë, janë ftuar hapur serbët që të votojnë për Listën Serbe.

Më tej, përmes komisionerëve e zyrtarëve zgjedhorë në komunat veriore, praktikisht vetëm Lista Serbe ka pasur anëtarët e saj në komisione, duke bërë kështu që të ketë kontroll të plotë në vendvotime dhe të organizojë dhe zbatojë skemën e votimit vetëm për Listën Serbe, pa u vërejtur dhe pa u denoncuar.
Kontrolli mbi votuesit është shtrirë nga sjellja kundërligjshëm e 4.000 aplikacioneve për t’u regjistruar si votues, ardhja e dhjetëra autobusëve nga Serbia për të votuar për Listën Serbe, presioni mbi votuesit e kontrolli i tyre deri në atë masë sa një mjek nga Shtërpca kishte lëshuar mbi 150 diagnoza të falsifikuara, si kusht për të votuar nga shtëpia, e tërë kjo si mënyrë e kontrollimit të votuesve.

Lista Serbe jo vetëm që përfaqëson Beogradin në Kosovë dhe jo serbët e Kosovës, por ajo edhe e ka deformuar vullnetin e qytetarëve serbë të vendit tonë.
(ed.me/BalkanWeb)


KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .