TIRANË- Analisti Andi Bushati ka komentuar situatën politike në studion e News24, duke nisur që nga diskutimet për kryeprokurorin e ri që do të zëvendësojë Adriatik Llallën. Sipas Bushatit kërkesa e maxhorancës është legjitime pasi parlamenti nuk ka tagër t’i rrisë mandatin kryeprokurorit.

Ai tha se kjo është një çështje më shumë politike se juridike dhe se në një kohë kur prokuroria ka disa hetime të rëndësishme, duhet të shihet propozimi dhe mënyra e zgjedhjes nga maxhoranca të kryeprokurorit të ri.

Bushati pati edhe një parashikim, kur një grupim grumbullon të gjitha pushtetet.

“Sugjerimi duket normal për sa kohë që interpretimi i tyre është që parlamenti nuk ka tagër t’i rrisë mandatin kryeprokurorit. Problemi këtu vjen dhe bëhet më i mprehtë jo juridik por politik kur mendojmë që prokuroria është në një betejë të ashpër me maxhorancën. Është rasti Tahiri, rasti që flitet për përgjime të zyrtarëve të tjerë të lartë, që prokuroria mund të ketë nën hetim, të gjitha këto vijnë kur kryeministri Rama e ka atakuar fort prokurorinë. Në këtë kuptim më shumë se procedura që do të ndiqet për kryeprokurorin Llalla interesant është të shihet kush është profilizimi i atij që mund të propozohet ose votohet për prokuror tranzitor. Mënyra se si kjo maxhorancë do propozojë një emër, do shikohet sa e tutur është ajo nga drejtësia apo dosjet që ka prokuroria. Më shumë do na shërbejë për të parë se sa e vërtetë është retorika e maxhorancës. Zgjedhja e këtij prokurori të përkohshëm, mënyra si do bëhet kjo zgjedhje, emri që do propozohet dhe votohet do tregojë shumë”, tha Bushati.

Në lidhje me propozimet e Euralius dhe Opdate për kryeprokurorin, Bushati tha se në fund është maxhoranca ajo që do vendosë se si do zgjidhet.

“Në fund do vendosë maxhoranca se si do zgjidhet. Është njësoj se si një grup ekspertësh të jepte sugjerim si të zgjidhet ky ngërç por në fund përgjegjësia është politike”, tha Bushati.

Ndërkohë që më 30 nëntor pritet shkarkimi i kreut të KQZ-së Klement Zguri dhe hapja e garës për  kryetarin e ri, pak ditë pas dorëheqjes së kreu të SHISH Visho Ajazi Lika dhe pak ditë para mbarimit të mandatit të kryeprokurorit Adriatik Llalla, Bushati thotë se e gjithë kjo ka një kuptim kur ajo shihet në sfondin e 25 qershorit. Megjithatë ai thotë se akumulimi i pushteteve është i rrezikshëm.

“Një maxhorance që tani e luan e vetme tepsinë në duart e veta. Kemi një maxhorancë të pakushtëzuar për vendimet e saj parlamentare. Historia ka treguar se kur një grupim i vetëm mbledh të gjithë pushtetet, firmos fundin e tij. Kjo është një gjë që hap diskutime.
Do ta ndaja kreun e KQZ-së nga kreu i SHISH dhe Kryeprokurori. Deri tani kreu i KQZ-së ishte i maxhroancës, më pas iu dha opozitës, ishte si valvul shfryrëse. Truku që po përdorin socialistët poshtë tavolinës, mund të komentohet si rimarrja e diçkaje që i takonte. I vetmi dyshim për kreun e SHISH është pikërisht ai që duket sikur ka një marrëveshje të heshtur mes Visho Ajazit dhe Edi Ramës. Se mbi ç’baza se dimë, e vetmja gjë që dimë është se ka një kompromis”, tha Bushati.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb