TIRANE– Prej vitesh, minatorët e Shqipërisë kërkojnë që t’i jepet statusi, në mënyrë që të garantojnë më shumë mbrojtje dhe të drejta, por një gjë e tillë ende nuk është bërë e mundur. Ndonëse naftëtarët tashmë e kanë marrë statusin, për punonjësit e nëntokës duket se ka pengesa, edhe pse kushtet në të cilat ata punojnë janë më të vështira.

Ata pretendojnë se atyre nuk u është dhënë statusi, politikisht, duke shkaktuar vonesa në këtë proces.

Duke kërkuar sigurinë në miniera dhe statusin e minatorëve, në kuadër të ditës ndërkombëtare të Punëtorëve, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë organizoi një protestë në kryeqytet paraditen e sotme.

Në manifestimin e tyre pranë “Ushtarit të panjohur”, kryetari i Sindikatave të Shqipërisë Kol Nikollaj i bëri apel qeverisë që të miratojë statusin e minatorit për punonjësit e nëntokës, si një e drejtë legjitime e kësaj shtrese të shoqërisë.

Nën sloganin “ndal nëpërkëmbjes së punëtorëve”, ata kërkojnë kushte më të mira pune dhe rritje të pagave, pasi kushtet e tyre të punës lënë për të dëshiruar.

Ata theksuan se numri i minatorëve që humbin jetën në galeri është i lartë, ndaj duhen marrë masa të menjëhershme për të siguruar kushte dhe paga më të mira.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb