Presidenti Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka deklaruar se 1Maji, dita e punëtorëve, e gjen vendin tonë me nivelin më të ulët të pagës në rajon dhe në Europë.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta shprehet se përqëndrimi i ekonomisë tek ndërtimi dhe favorizimi i oligarkëve ka thelluar papunësinë, mjerimin dhe ka mbyllur qindra mijëra vende pune.

Postimi i plotë:

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, vit pas viti e gjen Shqipërinë me nivelin më të ulët të pagës në rajon dhe në Europë, ku fuqia punëtore më e kualifikuar largohet masivisht, për shkak të kushteve të këqija të punës, mosvlerësimit të meritokracisë dhe mungesës së shpresës.
Përqëndrimi i ekonomisë tek ndërtimi dhe favorizimi i oligarkisë zhvatëse ka thelluar papunësinë, mjerimin dhe përjashtimin social, ka mbyllur qindra mijëra vende pune, duke dëmtuar rëndë biznesin e ndershëm, turizmin, bujqësinë e blegtorinë dhe dëmtuar rëndë mirëqenien e familjeve të thjeshta punëtore.
Pesë prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus jo vetëm i japin fund dramës së shpopullimit por edhe shpërblejnë punën, njerëzit e punës dhe meritokracinë, mbështetin prodhimin vendas, garantojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe një Shqipëri, fuqi eksportuese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb