“Më telefonoi tezja ime që jeton në Greqi, e cila më tha se një person do vinte të më takonte për të më dhënë një shumë parash. Fola me personin që më adresoi ajo dhe lashë takim me të në zonën e Shkozës. Prita, por nuk erdhi….”.

Kështu e nis dëshminë e tij para gjykatës Leandro Pana, i cili dyshohet si bashkëpunëtor në pengmarrjen e Jetnor Tarellari në Greqi. Pana doli këtë të martë përpara gjykatës për krime të rënda, e cila caktoi për të masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ai i tha gjykatës se ditën e parë nuk mundi ta takonte personin prej të cilit do të merrte lekët, por të nesërmen e kishte telefonuar sërish dhe kishin lënë takim në QSUT.

“Vendin e takimit e vendosi ai. Unë shkova në QSUT, prita, por sërish ai nuk erdhi. E mora në telefon, por nuk u përgjigj. Unë më pas u nisa në drejtim të Lezhës, pasi do shkoja në një dasmë. Rrugës për atje më arrestoi policia”.

Me 23 gusht, gjatë kohës që mbante kontakte me Leandro Panan, vëllai i jetnorit, Nexhat Tarellari iu drejtua policisë dhe denoncoi se i vëllai mbahej peng nga disa persona në Greqi. Nexhat Tarellari i tha policisë së këmbim të lirisë së Jetnorit, i ishte kërkuar shuma prej 10 mijë eurosh.

Por i dyshuari Pana, që rezulton të ketë lidhje familjare me të arrestuarit në Greqi, u shpreh se nuk e dinte se paratë që do të merrte do të shërbenin për lirimin e pengut në shtetin grek. Burimet thonë se të arrestuarit në Greqi, pretendojnë se Jetnor Tarellari iu kishte borxh 3 mijë euro dhe refuzonte tua kthente.

Tarellari udhetoi drejt Greqisë në 22 gusht, pasi ishte kontaktuar nga e dashura e tij H. M., 35 vjeçe. Me të mbërritur në shtetin fqinj, në vend të të dashurës, atë e takuan dy të afërm të saj, si edhe Xhemal Noka, i cili dyshohet se është ideatori i pengmarrjes.

Leandro Pana
(Leandro Pana)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb