Gjykata e Lartë feston më 10 maj 110-vjetorin e krijimit të saj. Për ta kremtuar sa më mirë këtë përvjetor të rëndësishëm, janë planifikuar një sërë aktivitetesh, për ndërgjegjësimin e publikut mbi misionin dhe rolin e gjyqësorit në zhvillimin shoqëror dhe historik të një vendi. Aktivitetet e ideuara dhe të organizuara nga Gjykata e Lartë, do të shtrihen gjatë muajve mars, prill dhe do të kulmojnë me një konferencë ndërkombëtare në datën 10 maj.

Siparin e këtyre aktiviteteve e hapi një seance debati midis dy gjimnazeve të Tiranës, Ismail Qemali dhe Sami Frashëri, organizuar ditën e hënë, 6 mars 2023 në sallën e Kolegjeve të Bashkuara, pranë kësaj Gjykate. “Klubet e Debatit” të dy gjimnazeve të Tiranës prezantuan platformat e tyre mbi gjendjen e sistemit gjyqësor në Shqipëri, problemet me të cilat ai haset dhe perceptimet e ndryshme që ka publiku në lidhje me të. Anëtarët e secilit klub debati përcollën argumente pro dhe kundër, përpara trupës së gjyqtarëve dhe stafit të Gjykatës së Lartë, si edhe nxënësve e mësuesve të këtyre gjimnazeve. Në përfundim të aktivitetit, u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për angazhimin dhe kontributin e nxënësve dhe mësuesve të tyre nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Aktivitetet do të vijojnë në këtë format edhe mes shkollave 9 vjeçare dhe gjimnazeve të tjera të Tiranës, edhe me mënyra alternative prezantimi, mbi çështje që lidhen me drejtësinë dhe ligjin, në kuadër të afrimit të gjykatës me publikun si mënyra më e mirë për të përkujtuar 110 vjetorin e Gjykatës së Lartë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb