Ish-deputeti Ervin Salianji ka zhvilluar një takim me mbështetës dhe demokratë në qytetin e Peshkopisë, ku ka artikuluar kritika të forta ndaj drejtimit aktual të Partisë Demokratike dhe deklaratave të kreut të saj, Sali Berisha, kundër ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, Salianji tha se Partia Demokratike nuk mund të ecë përpara duke u mbyllur dhe duke sulmuar aleatët ndërkombëtarë.

“Gara është nëpër sheshe, nëpër salla, demokratët janë në këmbë. PD nuk mposhtet, nuk uzurpohet dhe nuk ecën dot mbrapsht”, deklaroi ai.

“Dua t’u përgjigjem atyre që thonë a ke figura që të mbështesin, më i votuari i Tiranës, Elbasanit, Kukësit, Durrësit, Shkodrës. Figura janë ata që përzgjedhin demokratët, jo një lidership që ka uzurpuar PD për interesa personale”, tha ai.

Salianji u shpreh se prej pesë muajsh ka zhvilluar takime në të gjithë Shqipërinë me demokratë dhe qytetarë, duke theksuar se ndryshimi në PD është e vetmja rrugë për ta sjellë partinë sërish në pushtet.

“PD është ende e vetmja forcë që mund të sjellë ndryshimin, por ajo duhet të hapet, të ndryshojë dhe të kthehet te vlerat themeluese”, tha ish-deputeti.

Ai komentoi edhe reagimin e ambasadorëve të Bashkimit Europian pas deklaratave të Berishës ndaj ambasadorit të BE-së në Tiranë, duke u distancuar nga ato qëndrime.

“PD nuk duhet të jetë frëngji ku gjuhen ambasadorët, siç ndodhi sot që BE reagoi më vete. Qëndrimi nuk ishte i PD-së, por i një njeriu që e ka uzurpuar dhe e mban peng Partinë Demokratike”, u shpreh Salianji.

Më tej, ai theksoi se demokratët duhet të jenë ata që zgjedhin figurat përfaqësuese të partisë dhe jo, sipas tij, një lidership i fokusuar në interesa personale.

“Nuk fitohet duke sulmuar të gjithë, por duke bashkuar dhe ndërtuar partneritet. Vetëm duke bërë këtë kapërcim cilësor, PD mund të hapet dhe të fitojë”, deklaroi Salianji nga Peshkopia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb