Kreu i SPAK, Klodjan Braho ka dalë sot para Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të raportuar mbi raportin vjetor të institucioni që ai drejton.
Ai ka deklaruar se janë sekuestruar pasuri me vlera të mëdha dhe këto pasuri nuk janë kthyer.
“Nuk ka kthime të pasurive në ato masa, përveç atyre pasurive që duhen rikthyer. Jo të gjitha pasuritë e sekuestruara konfiskohen. Pasi ka persona që sjellin dokumentet e nevojshme. Një arsye tjetër është fakti se këto konfiskime lidhen me sekuestro preventive”, tha ai.
Braho deklaroi se vlera e pasurive të sekuestruara për 2025 kap vlerën e 45.4 mln euro.
“Kemi zbatuar parimin e ndjekjes së parave paralelisht me hetimin penal. Vlera të sekuestruar dhe të konfiskuara arrijnë shifrën 45.4 mln euro, ku përfshihet edhe sekuestrimi i kriptovalutave me vlerë ekuivalente prej 14.5 mln dollarë ose 12.4 mln euro.
Sa i takon çështjeve që lidhen me zyrtarët e lartë vlera e pasurive të sekuestruara është 1.1 mln euro, ndërsa konfiskimi për këtë vit ka qenë në shumën 100 mijë euro”, tha Braho.
Ky raportim bëhet në kuadër të detyrimit ligjor parashikuar në nenin 105, të Ligjit nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për të raportuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë lidhur me ecurinë e veprimtarisë së këtij institucioni”, thuhet në njoftimin e KLP.
Braho u zgjodh në krye të SPAK në 11 dhjetor të vitit të shkuar duke zëvendësuar në këtë detyrë Altin Dumanin.
