TIRANË- Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga “Fondacioni Down Syndrome Albania” me rastin e 21 marsit, Ditës Botërore të Sindromës Down. Takimi, në të cilin merrnin pjesë fëmijë me sindromën Down dhe prindër të tyre, u zhvillua në ambientet e kësaj qendre në Tiranë.

Gjatë aktivitetit z. Ilir Meta mbajti një fjalë të shkurtër përshëndetëse, ku foli për angazhimin e thellë dhe të veçantë që meriton kjo kategori e shoqërisë, të cilët meritojnë përkujdesje maksimale.

“Një nga treguesit më domethënës që dëshmon sesa demokratike, njerëzore dhe sociale është një shoqëri, është mënyra dhe standardet e sjelljes, reagimit, mbështetjes dhe përkrahjes e shtresave më në nevojë të saj. Fëmijët, por dhe më të rriturit me sindromën Down janë një nga këto kategori”, – tha z. Meta.

Gjithashtu, z. Meta tha se në Kuvendin e Shqipërisë ka dhe një komision për të drejtat e fëmijëve, i cili ka kryer dhe do të kryejë edhe në të ardhmen dëgjesa publike për mënyrën sesi zbatohet legjislacioni ekzistues për ta dhe për të diskutuar se çfarë iniciativash të reja mund të merren për ta përmirësuar atë. Objektivi kryesor është identifikimi i masave institucionale për ta bërë më të prekshme dhe më të dobishme përgjegjësinë që merr shteti përballë këtyre fëmijëve.

“Më lejoni që t’i quaj dhe unë këta fëmijë, siç i quani ju dhe siç janë në të vërtetë: Persona me nevoja të veçanta! Si të tillë, ata meritojnë vëmendje të posaçme, që kjo ditë botërore që vjen një herë në vit, të jetë çasti kur bëhet bilanci i një pune dhe përkushtimi të përditshëm dhe të përbashkët”, – u shpreh z. Meta, i cili vlerësoi gjithashtu edhe sakrificat e mëdha të prindërve të këtyre fëmijëve për mirërritjen e tyre.

Sakaq, z. Meta foli edhe për mundësinë e përmirësimit të vazhdueshëm dhe mbështetjen e formimit arsimor e profesional për këta fëmijë, për të cilët nevojitet më shumë akses për studimet e tyre, duke bërë gjithçka për të zhvilluar potencialin e tyre që do të mund t’i çonte drejt një jete të pavarur dhe të përfshirë në shoqëri, larg kufizimeve të diktuara nga statusi i tyre.

“Më e rëndësishme është ideja për përmirësimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e formimit arsimor e profesional për ta. Duhet afruar shumë më shumë akses për studimet e tyre. Duhet bërë gjithçka për të zhvilluar potencialin e tyre që do të mund t’i çonte drejt një jete të pavarur dhe të përfshirë në shoqëri”, – theksoi z. Meta.

Në këtë takim merrnin pjesë drejtuesja Fondacionit “Down Syndrome Albania”, znj. Emanuela Pepkola Zaimi dhe Zv.Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nora Malaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: