Italia njihet botërisht për artin, peizazhet ikonike dhe ushqimin e klasit të parë, por kur vjen puna te kultura e ngarjes së makinës, situata ndryshon kryekëput. Sipas një sondazhi të fundit global të kryer nga platforma e marrjes së makinave me qira Discovercars.com, Italia është renditur si vendi me shoferët më agresivë në botë.
Sipas të dhënave të anketës, rreth 23% e të anketuarve deklaruan se kanë përjetuar sjellje të çrregullta ose të pamatura gjatë kohës që i jepnin makinës në rrugët italiane.
Në vendin e dytë renditet Mbretëria e Bashkuar me 11% të votave, ku qyteti i Londrës doli si një nga vatrat kryesore të agresionit në timon. Klasifikimi i vendeve kryesore paraqitet si më poshtë:
Italia: 23%
Mbretëria e Bashkuar: 11%
SHBA: 9%
Franca dhe Australia: nga 5% secila
Spanja dhe Turqia: nga 4% secila
Sondazhi ka analizuar gjithashtu veprimet që u prishin më shumë punë drejtuesve të mjeteve. Mospërdorimi i sinjalit përbën shqetësimin kryesor për shumicën e shoferëve në mbarë botën:
Mosdhënia e sinjalit në kthesa: 56%
Ngarja e shpejtë e automjetit: 46%
Ngarja e ngadaltë në korsinë e parakalimit: 43%
Frenimi i menjëhershëm: 20%
Në një tjetër sondazh të kryer nga kompania e shërbimeve financiare Remitly mbi kulturën e mirësjelljes në përgjithësi, italianët patën sërish rezultate të dobëta. Ata u renditën në vendin e 24-t nga 25 vende të analizuara, duke lënë pas vetëm Austrinë.
Në krye të tabelës për mirësjelljen e përgjithshme renditet Japonia, ku përkulja konsiderohet ende si shenjë e lartë respekti, e ndjekur nga Kanadaja në vendin e dytë dhe Mbretëria e Bashkuar në të tretin.
Ndërkohë, kur të anketuarve iu kërkua të vlerësonin vetveten për nivelin e respektit ndaj të huajve, qytetarët e Brazilit dhe Kilit e konsideruan veten si më të sjellshmit në botë (me një vlerësim mesatar 9.46 nga 10), të ndjekur nga India (9.41), Suedia (9.40) dhe Franca (9.40). Japonezët, nga ana tjetër, i dhanë vetes një nga vlerësimet më të ulëta vetjake (8.73/10), përpos vlerësimit të lartë që marrin nga të tjerët.
