Basha homazhe te Varrezat e Dëshmorëve: Të luftojmë për të thelluar dimensionin e lirisë. Nderon bustin e Ismail Qemalit: Përkulemi para atit të Pavarësisë

TIRANE- Shqipëria feston sot 102-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Aktivitete për të kujtuar këtë ditë kombëtare janë organizuar në qytetin bregdetar të Vlorës, aty ku kryeministri i parë i vendit Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi dhe shpalli Pavarësinë e vendit.

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, kryeparlamentari Meta dhe ministra të qeverisë morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë, i cili u lartësua nga kampionët e peshëngritjes, Daniel Godelli dhe Romela Begaj.

Sikurse pritej, opozita ka zgjedhur të kujtojë veçmas pavarësinë, duke zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.

E gjithë Shqipëria, ashtu si edhe trevat shqiptare e diaspora, festojnë sot ditën e Flamurit. Sheshet e qyteteve janë zbukuruar me simbole kuqezi dhe gjatë ditës rrugët janë mbushur nga qytetarë në kuadër të aktiviteteve të organizuara.

 

102-VJETORI I PAVARËSISË, BASHA: PËRKULEMI PARA ATIT TË PAVARËSISË

basha shtatorja ismail qemalit

Ora 16:20- Më rastin e 102-vjetorit të Pavarësisë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha është përulur dhe ka vendosur lule tek busti i Ismail Qemalit, atit të Pavarësisë, siç ai e cilësoi. Basha zgjodhi ta nderojë fiks në orën kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë para 102 vitesh. Zoti Basha ka theksuar se vepra e Ismail Bej Vlorës është frymëzim dhe kurajo për çdo shqiptar, për të vijuar rrugëtimin drejt ribashkimit politik me Europën.

 

“Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Tirana e bëri realitet praninë e përhershme e të përjetshme të Ismail Qemalit, shpallësit të pavarësisë. Është sot nderi im, në emër të kryeqytetit që sëbashku me qindra qytetarë të Tiranës, në orën që përkon me orën e shpalljes së Pavarësisë 102 vjet më parë, të përkulemi sërish, ashtu si vjet, ashtu si në 100 vjetorin e Pavarësisë, para atit të Pavarësisë, Ismail Bej Vlorës. I paharruar qoftë kujtimi i tij dhe i patriotëve të tjerë që ngritën lart flamurin e Skënderbeut. Lavdi përjetë Ismail Bej Vlorës !”- u shpreh zoti Basha.

 

BASHA HOMAZHE TE VARREZAT E DËSHMORËVE

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherazi dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përkujtoi 70-vjetorin e çlirimit dhe 102-vjetorin e pavarësisë së vendit, duke zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve. Shefi i opozitës u përkul me nderim dhe vendosi kurora me lule përpara dëshmorëve të rënë për Atdheun. Homazhe zhvilluan edhe ish-kryeministri Berisha dhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike.

Në një deklaratë të shkurtër për mediat, shefi i opozitës theksoi se kjo është një ditë që bashkon shpirtrat e shqiptarëve. Sipas Bashës, shqiptarët duhet të luftojnë fort dhe pa kompromis për të thelluar dimensionin e lirisë.

“Gëzuar këtë ditë të madhe të lirisë, sakrificës. Pavarësia e Shqipërisë, liria e Shqipërisë në gjithë dimensionet e saj i ka rrënjët në sakrificën sublime të mijëra shqiptarëve. Sot është një ditë nderimi, së pari për sakrificën e tyre. Liria në të gjithë dimensionet e saj, liria si pavarësi, liria nga pushtimi nazifashist, nga diktatura komuniste kërkoi dhe mori sakrifica të mëdha nga ky komb. Të luftojmë fort dhe pa kompromis për ta thelluar sa më shumë dimensionin e lirisë. Duke e bërë këtë nderojmë amanetin e mijëra dëshmorëve të kombit dhe i japim kuptimin e vërtetë pavarësisë dhe lirisë që festojmë sot”- deklaroi Basha.

 

NISHANI ÇEL KUVENDIN NË KRUJË: MESAZHET E MUKJES – AKTUALE, BASHKIM PA DALLIME POLITIKE

nishani ne kruje

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka çelur sot në Krujë, Kuvendin “Historia i flet së ardhmes”, me rastin e Ditës së Flamurit. Presidenti tha ndër të tjera se 28 Nëntori është një ditë e shënuar për mbarë kombin tonë, pasi në këtë datë në 1912-ën, Shqipëria shpalli Pavarësinë, madje është edhe 28 Nëntori i kohës së Skënderbeut, që e bën dy herë të rëndësishme këtë datë.

Z.Nishani foli gjithashtu edhe për Konferencën e Mukjes, për të cilën tha se atje u morën vendime të rëndësishme, siç ishte bashkimi i forcave për çlirimin e Atdheut, pa dallime politike. Këto vendime tingëllojne aktuale edhe sot, kur partitë, pavarësisht dallimeve politike, duhet të bashkohen dhe të eleminojnë luftën e grindjet e të jenë të bashkuara për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar.

Më pas, fjalën e morën edhe intelektualë e akademikë si nga Italia, Maqedonia, Kosova e më gjërë.

 

RAMA URON NE FACEBOOK: GEZUAR FESTEN E PAVARESISE

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë shqiptarët për 102-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, Rama shkruan: “Gëzuar të gjithëve festën e pavarësisë së Shqipërisë ‪#‎feelingalbanian”.

Festimet për 102-vjetorin e pavarësisë janë zhvilluar të ndara edhe në këtë ditë të rëndësishme për shqiptarët. Axhenda e festimeve të qeverisë dhe ajo e Bashkisë së Tiranës, me në krye liderin e opozitës, janë të ndryshme edhe këtë vit.

Axhenda e Qeverisë
28 Nëntor 2014
10:00 – Ceremonia e vendosjes së kurorave në Monumentin e Pavarësisë në Vlorë

29 Nëntor 2014
10:00 – Ceremonia e vendosjes së kurorave në Varrezat e Dëshmorëve
11:30 – Parada Ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes
17:00 – Ekspo “Këndvështrime”, në Hollin Protokollar në Kryeministri
18:00 – Festivali i Dritave
19:30 – Pritje në Pallatin e Kongreseve me rastin e 70 vjetorit të Çlirimit
22:00 – Koncert & Nata e bardhë, Sheshi “Nënë Tereza”

Axhenda e Presidentit
Me 28 nëntor 2014, Presidenti i Republikës do të marrë pjesë në këto veprimtari me rastin e 102-vjetorit të Pavarësisë:
– Në orën 10.00 do të jetë në Vlorë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit;
– Në orën 12.30 në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Krujës (Salla e Trashëgimisë) Presidenti Nishani do të zhvillojë Kuvendin “Historia i flet se ardhmes” (edhe transmetim direkt);
– Në 18.30 Presidenti do të dekorojë figura të shquara historike në Pallatin e Brigadave (edhe transmetim direkt);
– dhe në orën 19:30 do të japë pritjen për nder të Festes së Pavarësisë në Hotel Sheraton.

Axhenda e Bashkisë
27 nëntor:
ora 18.00 – Aktivitete për viktimat e komunizmit të ilustruara me pamje filmike dhe video
ora 19.00 – “Shpërthimi i qenit” (premierë)- teatri “Metropol”

(er.nu/ma.ar/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb