Gjatë protestës së opozitës, një qytetare ka kundërshtuar vendimin e qeverisë për financimin e koncertit të artistit amerikan Kanye West, duke thënë se fondi prej 4 milionë eurosh do të mbulohet nga taksat e qytetarëve.
Në fjalën e saj, protestuesja deklaroi se qeveria ka zhbllokuar fondin e emergjencës për organizimin e koncertit, duke e krahasuar këtë vendim me, sipas saj, mungesën e ndërhyrjeve financiare në raste të tërmetit dhe përmbytjeve.
“Sot Edi Rama ka zhbllokuar fondin e emergjencës për të paguar biletat e koncertit të Kanye West. Çdo shqiptar do të paguajë nga xhepi 2 euro për këtë koncert, edhe pse nuk do të marrë pjesë”, u shpreh ajo.
Protestuesja argumentoi se fondet publike duhet të përdoreshin për pensionistët, pacientët në spitale dhe kategori të tjera në nevojë, duke kritikuar prioritetet e qeverisë.
