FUSHE KRUJE – Katër nxënëse të klasës së tetë në shkollën e fshatit Bilaj në Fushë Krujë, kanë shfaqur probleme shëndetësore, gjatë pushimit të gjatë në klasë. Vajzat 13-14 vjeçe janë transportuar menjëherë në spital, me të dridhura dhe vështirësi në frymëmarrje.

Burime për “BalkanWeb” bëjnë të ditur se vajzat u kanë rrëfyer mjekëve se kur janë futur në klasë, pas pushimit të gjatë kanë, vënë re se klasa ishte e mbushur me tym.
Dyshohet se në klasë është konsumuar hashash, ç’ka ka shkaktuar dhe problemet shëndetësore të vajzave të mitura.

Pak javë më parë në urgjencën e QSUT-së u paraqitën disa nxënës shkolle, të cilët kishin të njëjtat simptoma me vajzat e Fushë Krujës. Pavarësisht se u ngritën dyshime për konsumim droge në shkollë, asgjë nuk u konfirmua.

NJOFTIMI I POLICISE:
Më datë 21.10.2016, njoftohemi që në shkollën 9- Vjeçare, në Bilaj, 4 nxënëse të seksit femër, rreth 13-14 vjeçe në momentin që janë futur në klasë, pas mbarimit të pushimit të madh kanë pasur vështirësi në rrugët e frymëmarrjes.

Menjëherë janë dërguar në Spitalin Rajonal, të cilat kanë marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nga ana e Efektivave të Policisë janë pyetur Drejtori dhe mësuesit, të cilët kanë pohuar se në oborrin e shkollës, rreth 20 m larg  klasës janë djegur mbeturina dhe tymi i tyre është futur në klasë pasi dritarja ka qenë e hapur.

Policia ndodhet në vendngjarje, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të saj.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: