Emisioni Fiks Fare solli rastin e një mësuesi i cili sipas drejtoreshës së shkollës është pezulluar nga detyra se ka ushtruar dhunë ndaj një fëmije.

Por pezullimi ka ardhur pasi mësuesi është ankuar për drejtoreshën për moskryerjen e detyrave funksionale. Drejtoresha e shkollës nuk lajmëroi ambulancën dhe institucionet për incidentin, pezulloi mësuesin që u ankua për të. Pretendimi i saj është se mësuesi ka ushtruar dhunë, por këtë gjë nuk e ka kallëzuar askund.

E gjithë ngjarja e ka zanafillën në datën 3 nëntor në shkollën “Meleq Gosnishti” në Patos.

Aleksandër Semanjaku mësues prej 45 vitesh në arsimin fillor, ankohet në emisionin Fiks Fare se drejtoresha e ka pezulluar nga detyra padrejtësisht.

“Në pushimin e gjatë një nxënës i klasës së 8-të i ka thyer krahun një nxënësi të klasës së 5-të, unë shtyva nxënësin e klasës së 8-të në mënyrë që t’i ndaja, më vonë më akuzuan për dhunë“, tregon mësuesi.

Me sy të përlotur ai thotë se nuk ka dhunuar kurrë një fëmijë dhe nuk ka marrë kurrë asnjë vërejtje në profesionin e tij. Por masa e pezullimit erdhi se mësuesi u ankua për drejtoreshën e shkollës, pasi kjo e fundit nuk mori asnjë masë për nxënësin e dëmtuar. Minimalisht nuk lajmëroi ambulancën dhe asnjë institucion.

“Sapo u ankova për drejtoreshën , ajo më pezulloi me arsyetimin se kam dhunuar“, thotë mësuesi.

Ballafaqimi mes mësuesit dhe drejtoreshës së shkollës bëhet në zyrën e saj, ku kjo e fundit herë thotë ke ushtruar dhunë herë nuk ke ushtruar, dhe pas bisedave ka një vendim pezullimi në të cilin thuhet se pezullimi erdhi se u ankua një prind.

Ndërkohë në takimin që mësuesi bëri me drejtoreshën e Zyrës Vendore Arsimore Patos, Zamira Velçani , kjo e fundit ishte e qartë se mësuesi u pezullua për hakmarrje nga drejtoresha. Ajo i thotë se ankesa e tij kundrejt drejtoreshës ishte strumbullari i pezullimit.

Por ndryshe sillen drejtueset kur shkojnë gazetarët E Fiksit. Drejtoresha e shkollës , Entela Kënaçi nuk pranon që mësuesi ka ushtruar dhunë, ajo thotë se e pezulloi mësuesin pasi pa faktet por nuk tregon çfarë faktesh.

Ajo pranon se nuk ka lajmëruar asnjë institucion për situatën në shkollë.

Drejtoresha e ZVA-këtë herë është e qartë, ajo thotë unë nuk kamë parë dokumentet dhe nuk e njoh situatën, ndaj kërkon një shkresë zyrtare, ndryshe nga biseda me mësuesin ku fajësonte këtë të fundit për ankesën ndaj drejtoreshës.

Ndërkohë drejtoresha e DRAP, Flutura Meçaj, edhe pse kjo situatë kishte 10 ditë që kishte ndodhur, nuk dinte që ka një mësues të pezulluar. Meçaj premton për gazetarët se do ngrihet një grup pune që do sqarojë të gjitha veprimet e drejtoreshës./TCh

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: