Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kanë zhvilluar sot homazhe pranë Monumentit Nënë Shqipëri.

Gjithashtu, ata kanë bërë homazhe edhe pranë vendit ku prehet Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari si dhe në vendin ku prehen 22 intelektualët e pushkatuar nga regjimi komunist, të akuzuar për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike.

Në fjalën e tij para mediave, kreu i PD-së Basha tha se për lirinë dhe vlera te saj luftohet në çdo kohë, ndërsa ka përkujtuar edhe shqiptarët e vrarë në trojet e Shqipërisë etnike në luftërat e tyre për liri.

“Sot është dita kur kombi shqiptar nderon të rënët, të rënët për lirinë kombëtare, të rënët në luftë kundër pushtuesve, të rënët për liri dhe demokraci. Është një ditë nderimi, respekti, mirënjohjeje e thellë kombëtare, patriotike dhe individuale, ndaj qindra, mijëra burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që flijuan jetët e tyre në altarin e lirisë kombëtare.
Është po kështu një ditë reflektimi, për t’u bashkuar të gjithë sërish për të mbrojtur lirinë dhe vlerat e saj, të vetëdijshëm se për lirinë shkohet në betejë çdo ditë.
Përkulem sot me respekt dhe mirënjohje të thellë para dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimitare, duke nisur me dëshmorin e parë, Mujo Ulqinakun, e dhjetëra mijëra të tjerë, të cilët luftuan me flamurin kuqezi për lirinë e Shqipërisë, për liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

Kujtojmë sot me dhimbje në zemër të gjithë ata që pasi flijuan kaq shumë për lirinë kombëtare ranë fli nën kthetrat e diktaturës gjakatare, që shkatërroi, përdhunoi, vrau dhe burgosi liritë e qindra, mijëra familjeve shqiptare.

Përkulemi sot me nderim të thellë para bijve të Shqipërisë, të Kosovës, para bijve të shqiptarëve të Maqedonisë e të Preshevës, të cilët luftuan së bashku luftërat e fundit çlirimtare për lirinë e Kosovës,për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut.

Sot është po kështu një ditë që secili prej nesh të ndjejë në shpirt dhe mbi supe peshën e rëndë të sakrificës që ky komb ka paguar për liri e bashkë me të edhe bekimin e Zotit për të bërë gjithçka për ta mbrojtur atë me çdo kusht, para çdo tiranie, para çdo tirani.
Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti e bekoftë kombin shqiptar!
Lavdi të përjetshme dëshmorëve të kombit”, -tha Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb