Largimi i bluzave të bardha është kthyer në një fenomen tejet shqetësues për Shqipërinë. Prej janarit të 2019-ës e deri më tani janë larguar plot 2500 infermierë, ndërsa pritet që deri në fund të dhjetorit, numri i infermierëve të larguar të arrijë në 7 mijë në total. Shifrat alarmante zbardhen nga kreu i Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë, Elson Jaçaj, i cili thekson se pagat e ulëta dhe kushtet e vështira të punës janë arsyet kryesore të largimit të punonjësve të shëndetësisë. Një tjetër shqetësim që ngre Jacaj është edhe ushtrimi i profesionit nga infermierë që nuk zotërojnë një diplomë apo licencë, e madje këta persona mund të gjenden edhe në QSUT. Ndërkohë, ka shumë punonjës shëndetësie që nuk punojnë në profilet përkatëse, e këtu kreu i Shoqatës së Infermierëve bën me dije se ka raste ku një infermier punon si mami në maternitet, apo një fizioterapist si infermier.

Sa është numri i infermierëve të larguar këto vitet e fundit nga Shqipëria, të cilët kanë arritur të nënshkruajnë kontrata pune jashtë vendit?

Numri i infermierëve të larguar deri në muajin dhjetor mund të arrijë rreth 7000 në total ku mbi 2500 janë vetëm këtë vit pasi ka qenë viti me largimet më masive që kur ka filluar eksodi i bluzave të bardha në Shqipëri.

Si paraqitet raporti i infermierëve të diplomuar për një vit me numrin e vendeve vakante të punës? Sa është përqindja e infermierëve që ngelen të papunë pasi diplomohen?Faktikisht vendi ynë ka shumë universitete që kanë degë të Shkencave Mjekësore Teknike (pra infermier); janë mbi 10 IAL të tilla që minimalisht kanë 250 studentë secila pra kemi rreth 2500 infermierë çdo vit që dalin. Fatkeqësisht vendi ynë në një vit nuk ofron as 250 vende pune pra e llogarisni vetë sa të papunë mbeten. Edhe pse kemi sërish shumë largime jashtë vendit çuditërisht prapë shpallen shumë pak vende vakante kur realiteti është krejt ndryshe, por për shumë arsye bëhet një propagandë punësimi. Me hapjen e portalit në periudha të caktuara që nuk është asgjë tjetër vetëm plotësim i vendeve të mbetura bosh për shkak të largimeve, pra është plotësim i nevojave që kemi për infermierë e jo se po krijohen vende të reja pune.

Si funksionin portali Infermierë për Shqipërinë? Sa transparent është në punësimin bazuar në meritë?
Portali sa herë hapet shoqërohet me problematika fatkeqësisht, por më e çuditshmja është që dalin një numër i infermierëve fitues dhe plotësohen vendet vakante dhe pjesa tjetër që nuk punësohet lihet në listë pritje. Kur hapet sërish portali çuditërisht ata punësojnë ata që dalin fitues ndërkohë që duhet të punësoheshin ata që janë në listë pritje. Problemi është që ata që dalin fitues të parët në listë u thuhet të punësohen në zona të largëta nga banimi i tyre që si le zgjedhje të lirë e kjo bën që disa dhe pse dalin fitues refuzojnë pasi puna larg zonës së banimit ka shumë kosto për ta.

A bëhen punësime partiake të infermierëve? Dhe a punojnë në institucionet shëndetësore publike persona të pacertifikuar, që nuk zotërojnë licencën?
Nëse një infermier ndihet i vlerësuar për punën që bën në vendin e tij s’do të detyrohej të mendojë për t’u larguar. Presionet e ndryshme psikologjike, emocionale, profesionale etj. i kanë shtyrë drejt kësaj zgjidhje. Para ca kohësh pamë në Spitalin Universitar të Traumës ku me një urdhër absurd drejtori largoi nga puna Kryeinfermieren e Përgjithshme dhe pezulloi të gjithë kryeinfermierët e tjerë vetëm se diku i ishte cenuar interesi personal. Në QSUT ndodh e njëjta gjë duke ju bërë presion Infermierëve me transformime nga puna herë pas here apo duke punësuar infermier zëvendësues e më pas duke i larguar nga puna pa asnjë arsye. Shqetësimi ynë kryesor është që duhet sa më shpejt të merren masa për verifikimin e diplomave dhe licencave për një numër të madh infermierësh pasi jo vetëm në QSUT por në shumë spitale në Tiranë dhe rrethe, në qendra shëndetësore ushtrojnë profesionin infermierë (por që nuk kanë një diplomë për këtë profesion, apo ushtrojnë profesionin infermier pa licenca). Në maternitet ke infermierë meshkuj që punojnë sepse mamitë po largohen dita- ditës e s’ka kush i zëvendëson, ke fizioterapistë që punojnë si infermier, pra ai nuk punon në profilin e tij, por në pozicionin e një infermieri duke penalizuar infermierin që ka investuar për diplomën e tij. Ke të punësuar si infermierë që s’dinë të ushtrojnë profesionin gjë që lë për të dyshuar se si mund ta ketë fituar diplomën apo licencën duke mos qenë kaq i aftë. Ka aq shumë gjëra që nëse do gjenin zgjidhje do ju krijonin infermierëve hapësira dhe mundësi për të punuar në vendin e tyre e jo për tu larguar jashtë.

Te plote e lexoni në: Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb