Të rinjtë e Mirditës mirëpritën sot tre kandidatët për kreun e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Qindra të rinj morën pjesë në debatin mes Belind Këlliçit, Ervin Salianjit dhe Orjela Nebijajt të cilët folën për ngjarjet më të rëndësishme politike që ndikuan në përfshirjen e tyre në politikë.

Të tre kandidatët veçuan ditën e Rinisë “8 Dhjetorin” si datën më të rëndësishme politike që ka frymëzuar ata dhe mijëra të rinj shqiptarë për një Shqipëri më të mirë. Ata bënë thirrje të tre bashkë që ditën e 8 dhjetorit të bashkohen të gjithë në sheshin kryesor të Tiranës për të nisur betejën kundër maxhorancës në pushtet që po varfëron shqiptarët e që po largon të rinjtë nga vendi duke vrarë aspiratat e tyre që nisën 25 vite më parë.

I ngarkuari i kryesisë, deputeti Aldo Bumçi falënderoi të rinjtë e Mirditës për angazhimin e tyre dhe i ftoi ata të protestën e madhe të opozitës në datën 8 dhjetor në Tiranë.

Nesër zhvillohet konventa e parafundit e debatit të të rinjve e më pas do të kulmohet në Tiranë në datën 6 dhjetor ku do të shpallet edhe fituesi i garës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: