Brukseli ka kohë që ankohet, tani është koha për ta marrë seriozisht. Komisioni Evropian do ta detyrojë qeverinë italiane me anë të një procedure të deficitit të kthehet në rrugën e virtytit buxhetor

Komisioni Evropian e kërcënon Italinë për shkak të malit në rritje të borxhit me një procedurë penale. Një veprim i tillë justifikohet nga zhvillimi i borxhit publik të vendit, bëri të ditur Komisioni në Bruksel. Detyrimet e Italisë arritën 132.2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) vitin e kaluar, në këtë mënyrë janë shumë më lart se tavani prej 60 për qind. Njëkohësisht, sipas Komisionit, qeveria italiane ka dështuar në reduktimin e borxhit në masën e premtuar. Meqenëse edhe ekonomia po rritet më ngadalë, raporti i borxhit ndaj PBB do të përkeqësohet këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Ministrat e financave të BE duhet të bien dakord për hapjen e procedurës së deficitit, e cila në fund mund të çojë në një gjobë prej miliarda dollarësh për Italinë. Italia mezi shpëtoi vitin e kaluar nga procedura penale e Brukselit. Në Romë që nga vera e vitit 2018 qeveris një koalicion i Lega-s ultra të djathtë dhe Lëvizjes populiste 5-Yje, të krahut të majtë.

Më shumë se 2.3 bilionë euro borxh
Pas disa javësh mosmarrëveshjesh dhe kërcënimit të dorëheqjes së kryeministrit pa parti Giuseppe Conte, partnerët e koalicionit me 5 yje dhe Lega i afruan përsëri pozicionet me njëri-tjetrin. Të martën (04.06), kreu i Lëvizjes-5-Yjet, Luigi Di Maio dhe kreu i Legas, Matteo Salvini, diskutuan mundësinë e shkeljes së rregullit të deficitit të BE, njoftoi gazeta Corriere della Sera. Salvini ka premtuar shkurtime drastike të taksave dhe prandaj injoron kërkesat e BE për disiplinën fiskale. Conte këmbëngul që Italia të respektojë rregullat e borxhit të Bashkimit Evropian.

Italia ka një nga borxhet më të larta publike në botë. Në fund të vitit 2018, borxhi arriti në më shumë se 2.3 bilionë euro. Kjo i përgjigjet rreth 132 për qind të PBB. Në eurozonë lejohet një maksimum prej 60 për qind./Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb