KASHAR

Pas kthimit nga Italia, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka dorëzuar çelësat e banesës së re familjes Sula në Kashar. Shtëpia e Halil Sulës u dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit por tashmë falë rindërtimit nga shteti ka një banesë të re.

Rama gjatë takimit me këtë familje tha se që sot në mëngjes është nisur puna me një grup ekspertësh të huaj për të diskutuar për një teknologji e re, anti- sizmike dhe moderne e cila mund të implementohet tek banesat e reja të rindërtuara.

Ai shtoi se sot pret në Tiranë Presidentin e Këshillit Europian ku do të diskutojnë për çështjen e Rindërtimit.

‘’Si jeni njëherë, kaluat njëcikë periudhë të vështirë. Sot që në mëngjes e kemi filluar punën me një grup ekspertësh të huaj për rindërtimin për të parë disa module të reja ndërtimesh dhe më pas do të vijmë në Bashki se po shohim këto teknologjitë e reja që janë anti- sizmike dhe moderne që ka disa teknologji fantastike që janë me një mundësi për të ndërtuar më shpejt dhe mënyrë ekologjike. Besoj se do të bëjmë një punë shumë të mirë. Tërmeti ka mbaruar, për pjesën më të madhe ka filluar jeta normale.

Për mua fillon tërmet,  mbaron tërmet. Kemi një takim në mëngjes një takim në darkë për tërmetin. Të gjithë t’i kthejmë në shtëpi më të mira. Kemi dhe në këtë zonat e mëdha në Tiranë, Durrës dhe Laç, shkollat dhe spitalet po do ja dalim.

Ka qenë goditje shumë e madhe dhe një dëm shumë i madh. I kemi marrë masat. Sot vjen ai Presidenti i Këshillit dhe do flasim për atë punë. Do përpiqemi që të kemi sa më shumë mundësi.‘’- tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb