Anëtarja e Kryesisë të LSI Silva Caka e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për rastin e kryebashkiakut të Bulqizës, i cili dyshohet se shfaqet në një video duke pirë kokainë, deklaroi se Lefter Alla duhet më së paku të ishte pezulluar.

Caka theksoi se LSI e opozita e bashkuar së shpejti do të nxjerrin në dritë raste të tjera të dënimeve të kryebashkiakëve të tjerë.

Minimalisht Alla duhet të ishte pezulluar. Rasti ishte një praktikë e Rilindjes që është bërë normale tashmë. Ne si opozitë e bashkuar bëjmë punën tonë. Edhe ne si LSI do të bëjmë hetime. Para disa ditësh na ka ardhur një denoncim për një zyrtar në Vlorë. Këta janë njerëz që shfrytëzojnë pushtetin që iu ka dhënë Rilindja për të bërë pastaj abuzime nga më të ndryshmet. Çdo qytetar që ka denoncime duhet të vijë pranë zyrave të LSI e të opozitës. Shumë shpejt do të bëjmë edhe një denoncim. Rama solli një kastë njerëzish të inkriminuar. Me votimet moniste, kriminelët u shtuan. Ju siguroj se rasti i Allës nuk është i fundit. Ne po punojmë dhe do të nxjerrim në dritë fakte për dënime të kryebashkiakëve të tjerë. Shpresoj që Prokuroria të bëjë punën e saj”, deklaroi Caka.

Silva Caka tha se kanë ndodhur disa ngjarje të çuditshme, gjë që bëjnë që shumë qytetarë të humbasin besimin tek SPAK-u dhe reforma në drejtësi.

“Unë nuk dua ta paragjykoj SPAK-un. Por kam pasur përshtypjet e mia. U ngrit me vrap e me vrap dhe me 8 prokurorë, kur e dimë fare mirë se nuk duheshin tetë prokurorë. U ngrit për raste të korrupsionit të nivelit të lartë, por do të shohim se do të merret me cështje krejt të tjera. Në SPAK kishim persona që kanë shërbyer edhe para viteve 1990, gjë që nuk duhej të ndodhte. Tjetër është takimi i kreut të SPAK me Ulsi Manjës. Si mund të zgjidhet cështja e Dibrës, kur Ulsi Manja takon prokurorët. Janë këto çudira që bën që edhe qytetarët të humbin besimin”, tha Caka.

Në lidhje me lirimin e Endrit Dokles nga burgu, Caka deklaroi se me siguri që vendimi është marrë pas ndikimeve të ndryshme politike.

“Vettingu duhet të ishte bërë me kohë. Po krijojmë ngerce të jashtëzakonshme për gjykatat. Ndikimi politik për lirimin e këtyre njerëzve është i jashtëzakonshëm. Pastaj a do të kemi ndëshkim të gjyqtarëve për këto lirime, këtë nuk e di. Gjykoj se nuk do kemi masa për gjyqtarët që kanë dhënë këto vendime”, tha Caka.

Më tej, Silva Caka theksoi se reforma zgjedhore është një nga kushtet e Bundestagut për hapje të negociatave, prandaj dhe opozita u bë pjesë e tryezës.

“Ne jemi përgjegjës për atë që bëjmë. Ne kemi dhënë kontributin tonë në mënyrë që Shqipërisë t’i hapen negocitatat me BE. Ne e dimë shumë mirë se negociatat me Shqipërinë nuk hapen nëse ne nuk mbështesim këtë reformë. Të dyja palët, ajo brenda në parlament e ne jashtë, duhet të uleshim. Zgjedhorja është një nga kushtet e Bundestagut. Ne si opozitë bëmë punën tonë. Ne vazhdojmë të themi se Damian Gjiknuri është personi që ka dalë në përgjime në Dibër, duhet të mbajnë përgjegjësi për skandalin e Unazës.”, deklaroi Caka.

Për Silva Cakën, opozita e bashkuar do zgjedhje të lira e të ndershme dhe se beson se ka mbështetjen e shumicës të qytetarëve shqiptarë.

“Opozita dëshiron zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne si LSI, por edhe PD po punojnë për të ardhme më të mirë. Ne po hapemi si parti, si Lëvizja për Integrim ashtu edhe Partia Demokratike, pra po forcohemi si opozitë e bashkuar. Qoftë edhe nesër nëse zhvillohen zgjedhjet e parakohshme patjetër që do të jemi aty e besoj e marrim besimin e qytetarëve”, u shpreh Caka.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb